Shtatë pikë më shumë se Juventusi në krye të renditjes dhe një ndeshje më tepër në dispozicion, kanë qetësuar jo pak Simone Inzaghin në garën për titull.
Pikërisht për këtë arsye, trajneri nga Piacenza po përgatit disa ndryshime për ndeshjen e të premtes në mbrëmje ndaj Salernitanës, në mënyrë që të kursejë titullarët për sfidën ndaj Atleticos së Madridit në Champions.
Kështu në qendër të mbrojtjes do të luajë De Vrij, duke qenë se Acerbi është i dëmtuar, ndërsa në krahun e djathtë do të pushojnë Pavard e Darmian, për t’u lënë vendin Bisseck e Dumfries.
Edhe në mesfushë Asllani pritet të luajë nga minuta e parë bashkë me Klaasen dhe njërin mes Barellës e Mkhitaryan, ndërsa në sulm është testuar titullar Arnautovic në krah të kapitenit Lautaro.
Inzaghi kërkon t’u japë një tjetër sinjal besimi futbollistëve që kanë luajtur më pak, të cilët ndaj Salernitanës do të ketë detyrën të vazhdojnë punën e bërë nga titullarët, për të çuar në +10 distancën nga Juventusi, qoftë edhe për disa orë.
Nga ana tjetër, të martën e ardhshme në Champions pritet që të rikthehen të gjithë titullarët, pasi komoditeti në kampionat, i jep mundësinë Inzaghit të provojë një tjetër mrekulli, ashtu si sezonin e kaluar kur shkoi deri në finale./SS