Interi po monitoron nga afër situatën e portierit italian Guglielmo Vicario, i cili sipas “La Gazzetta dello Sport” dëshiron të rikthehet në Serie A gjatë verës së ardhshme. Megjithatë, “Nerazzurrët” nuk janë të gatshëm të shkojnë përtej shumës prej 20 milionë eurosh për transferimin e tij nga Tottenham Hotspur.
Gazeta prestigjioze italiane raporton se Vicario ka shprehur prej kohësh dëshirën për t’u larguar nga Londra, pavarësisht marrëdhënieve korrekte me klubin anglez. Interesimi i Interit për shërbimet e tij nuk është i ri, pasi klubi zikaltër e kishte në listë edhe në vitin 2023, para se portieri të transferohej përfundimisht te Spurs.
Interi e sheh 29-vjeçarin si një profil ideal për të ardhmen, por drejtuesit nuk synojnë të bëjnë investime të mëdha për repartin e portës. Kjo mund ta komplikojë marrëveshjen, pasi Vicario ka kontratë me Tottenhamin deri në qershor të vitit 2028, çka i jep klubit anglez avantazh në negociata.
Në aspektin sportiv, Vicario po kalon një sezon solid në Premier League, duke regjistruar 9 ndeshje pa pësuar gol në 22 paraqitje me Tottenhamin. Ai është aktualisht portieri i dytë i kombëtares italiane pas Gianluigi Donnarummas dhe numëron pesë paraqitje me fanellën “azzurre”.
Mbetet të shihet nëse Interi dhe Tottenhami do të gjejnë gjuhën e përbashkët gjatë merkatos së verës, apo nëse klubi zikaltër do të orientohet drejt alternativave të tjera për portën./04 Online














































