Numri i njerëzve që kanë interes të madh për lajmet ka rënë me rreth një të katërtën në gjashtë vitet e fundit. Shifrat i referohen një raporti nga Instituti Reuters i Universitetit të Oksfordit, ku thuhet se 48% e njerëzve në mbarë botën janë shumë ose jashtëzakonisht të interesuar për lajmet nga 63% që ishin në vitin 2017.
Më shumë se një e treta e njerëzve (36%) në mbarë botën thonë se ndonjëherë ose shpesh i shmangin në mënyrë aktive lajmet.
Autorët e raportit thanë se sipas studimit, audienca vazhdon që të shmangë lajme të rëndësishme që kanë lidhje me luftën në Ukrainë, krizën e kostos së jetesës si dhe lajmet dëshpëruese, pasi kërkojnë që të mbrojnë shëndetin e tyre mendor.
Raporti i Lajmeve Dixhitale 2023 doli në përfundim gjithashtu se audienca e TV tradicionale dhe medias së shtypur të lajmeve po vazhdojnë të bjerë, ndërkohë që konsumatorët në internet po lexojnë lajmet më pak se vitet e shkuara dhe po bëhen më pak të interesuar./KN