Bacë, të gjithë të thurnin lavde për sakrificën tuaj jetësore, të lartësonin deri në qiell, por të gjithë, pa përjashtim, të mbanin jashtë jetës institucionale! Në jetën institucionale kishte vend për të tillë që erdhën nga anonimiteti, për të tillë me biografi të diskutueshme por për çudi, për Bacën nuk pati vend!
Populli “primitiv” i Afrikës së Jugut nuk lejoi të nëpërkëmbej figura e Mandelës, ai u tregua mirënjohës për sakrificën e tij, ai e zgjodhi president të vendit, porse klasa jonë politike, si produkt i popullit të civilizuar europian(!), nuk veproi me Ty sikurse afrikanët me Mandelën! Siç duket, ne të “civilizuarit” në gjen jemi mosmirënjohës ndaj sakrificës së tjetrit. Pasi përballë sakrificës tuaj ndiheshin inferior, shpirtligësia dhe egoja e tyre i nxiste së paku të të injoronin!
Modestia juaj asnjëherë nuk ju motivonte të pretendonit për ndonjë pozitë por ishte evidente se Baca, me emrin dhe veprën e tij jetësore, do ta nderonte çdo institucion.
Bacë, shpresojmë të na falësh neve që, pos që të kishim në mendje e shpirt, ishim të pafuqishëm të bënim gjë, por jo ti falësh edhe sojin e demagogëve e hipokritëve, që mundën por nuk deshën. Kalkulimet e tyre politike, nuk të sjellnin Ty në krye të vendit, por të tjerë, përkundër faktit se goja iu shkumonte nga shpeshtia e përmendjes së emrit tuaj.
Bacë, tani e tutje do të të thurin edhe më shumë lavde, sepse më nuk je barrë për ta!
Shkruan: Agron LIMANI
* Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e 04 Online