Infeksionet vaginale më të shpeshta gjatë verës

0
182

Duke qenë se vera është një nga stinët ku prania e infeksioneve vaginale është më i madh, vendosa të shkruaj sot disa informacione thelbësore që duhet të dini rreth termit ‘’vaginitis’’ dhe kujdesit intim të përditshëm e jo vetëm.

Infeksionet vaginale ose vaginitis, i referohen një inflamacioni të vaginës, i cili mund të jetë pa simptoma të dukshme ose mund të shkaktojë shqetësime të lehta si djegia, tharja, kruajtja, sekrecionet e shtuara, etj.

Le të flasim pak më tepër për infeksionet vaginale.

1. Zakonisht infeksionet vaginale shkaktohen nga kërpudha, baktere, parazitë, etj, të cilat transmetohen nga njëri partner tek tjetri, por sigurisht mund të kenë edhe arsye të tjera proliferimi, si gjatë periudhave të plazhit, ndërrimit të rutinës ushqimore, gjatë udhëtimeve, nga përdorimi i detergjentëve të dushit apo të rrobave, deodorantët e ndryshëm pomadat apo larësat intim të përdorur gabimisht, etj.

2. Flora vaginale mbron vaginën në mënyrë natyrale dhe kur ajo është e disbalancuar, si psh pas terapive me antibiotikë, mund të rezultojë në krijimin e inflamacionit dhe të përbëjë terren për të krijuar një infeksion vaginal.

3. Gjithashtu, në disa raste të shumta, infeksioni vaginal shkaktohet nga mikroorganizma seksualisht të transmetueshëm dhe shfaqet pas marrëdhënieve seksuale.

4. Ulja e niveleve të estrogjenit në periudhën gjatë dhe pas menopauzës, mund të shkaktojë hollimin e mureve të vaginës dhe kjo do të shpjerë në krijimin e infeksioneve vaginale.

5. Stresi mund të shkaktojë rritje të ndjesisë së kruajtjes vaginale dhe mund të krijojë terren për inflamacion dhe infeksion vaginal.

6. Infeksionet kërpudhore, që zakonisht përfshijnë sekrecione vaginale të bardha, mund të shkaktohen nga marrja e antibiotikëve dhe kontraceptivëve, cikli menstrual, marrëdhënieve seksuale me një ose disa partnerë, diabetit dhe sistemit të dobët imunitar.
Cfarë duhet të bëni në këto raste? Sigurisht rekomandohet vizita gjinekologjike, por edhe duhet shtuar apo përmirësuar rutina e përditshme intime.

Faktorët e riskut që rrisin mundësinë e zhvillimit të infeksioneve vaginale, janë:

Ndryshimet hormonale (gjatë shtatëzënisë ose menopauzës).
Aktiviteti seksual intensiv.
Sëmundjet seksualisht të transmetueshme.
Ndryshimi i partnerëve seksual.
Përdorimi i larësve të papërshtatshëm vaginalë.
Medikamente të ndryshme si antibiotikë, steroide, etj.
Diabeti.
Rroba banje të lagura në trup për një kohë të gjatë.
Ndryshimi i rutinës gjatë udhëtimeve të ndryshme.
Rrobat shumë të ngushta dhe me materiale të papërshtatshme.
Rroba të brendshme me material sintetik.
Sëmundjet autoimmune.
Përdorimi i zgjatur i spermicidit.

Më poshtë ju rendis disa nga simptomat kryesore të vaginitit:

Lëngjet joformale të vaginës në ngjyrë dhe strukturë (të verdha, gri ose të bardha).
Kruajtje dhe jo-rehati.
Irritim në vulvë dhe vaginë.
Ndjesi djegieje në vaginë.
Dhimbje gjatë marrëdhënies seksuale.
Gjakderdhje vaginale.
Urinim me dhimbje dhe djegie.
Dhimbje vaginale.
Inflamacion i vulvës.
Inflamacion i vaginës.
Ënjtje rreth vaginës dhe vulvës.

Si ta parandalojmë vaginitin?

Parandalimi i vaginitit është i rëndësishëm po aq, madje ndoshta edhe më shumë se trajtimi. Disa këshilla të përditshmërisë për parandalimin e tij janë:

Higjienë shumë e mirë intime.
Përdorimi i pastruesve intimë të përshtatshëm.
Përdorimi i veshjeve të rehatshme, veçanërisht gjatë muajve të verës.
Përdorimi i veshjeve të brendshme të përshtatshme dhe të rehatshme.
Ndërrimi i rrobave të banjës të lagura.
Përdorimi i peshqirit të pastër personal në shtëpi.
Përdorimi i peshqirit të pastër personal në plazh.
Përdorimi i probiotikëve gjatë terapisë me antibiotikë ose kontraceptivë.
Të shmanget përdorimi i të brendshmeve sintetike dhe i rrobave të ngushta.
Nëse keni predispozitë herë pas here për t’u prekur nga infeksionet vaginale, merrni parasysh përdorimin e probiotikëve në periudha të caktuara.
Këshillohet përdorimi i prezervativit për të shmangur transmetimin midis partnerëve.
Sigurohuni që të keni një aktivitet të sigurt seksual, pasi kjo gjë mund të ndihmojë në parandalimin e transmetimit të sëmundjes nga njëri partner tek tjetri.
Çelësi për trajtimin e duhur të infeksioneve vaginale është diagnoza e duhur dhe e saktë nga mjeku gjinekolog. Rekomandohen vizita të vazhdueshme tek mjeku juaj nëse ndjeni simptoma si më sipër. Asnjëherë mos u mundoni të mjekoheni vetë apo të merrni medikamente në farmaci, pa u konsultuar me mjekun tuaj. Mundohuni ndërkohë ama që higjiena juaj e përditshme të sigurohet nga një larës i përshtatshëm intim farmaceutik, këshilluar nga farmacisti apo mjeku juaj. Ju mund ta ndihmoni mjekun tuaj duke i kushtuar vëmendje simptomave, kohës së shfaqjes së tyre dhe një përshkrimi të detajuar të sekrecioneve vaginale, në mënyrë që diagnoza të vendoset saktë dhe të merrni mjekimin e duhur. \Nga Denada Nako

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here