Ilir Gashi: Komisioni që ndan subvencione në Prizren, vegël partiake e PDK-së

0
296

Asambleisti i LVV-së në Prizren, Ilir Gashi, ka denoncuar përbërjen e Komisionit Vlerësues për subvencione në Kulturë, Rini dhe Sport, duke e quajtur “strukturë klienteliste të PDK-së”, raporton 04 Online.

Ai thotë se komisioni i përzgjedhur nga kryetari Totaj po diskriminon në ndarjen e mjeteve, duke favorizuar militantë e jo vlera.

Reagimi i plotë i Ilir Gashit:

Skema e keqpërdorimit të subvencioneve në Prizren: Komisioni Vlerësues

Këto ditë, qytetarët e Prizrenit janë bërë dëshmitarë të një vale të gjerë reagimesh nga klube sportive, organizata të shoqërisë civile, festivale ndërkombëtare e individë të dalluar. Arsyeja? Mënyra skandaloze dhe diskriminuese e (mos)shpërndarjes së subvencioneve nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport.

Zanafilla e këtij abuzimi fillon me Komisionin Vlerësues, i cili është përzgjedhur personalisht nga kryetari Shaqir Totaj (Vendimi nr.162/25, dt. 04.03.2025). Përzgjedhje që nuk lë vend për rastësi, por vetëm për klientelizëm të hapur politik.

Ky komision më shumë i ngjan një sektori partiak të nëndegës së PDK-së sesa një trupi profesionist.

Ja kush janë emrat kyç:

• Veton Xhemaj, kryesues i komisionit, anëtar i PDK-së, pjesë e shtabit zgjedhor dhe i përfshirë në qendrën e numërimit të votave.

• Kushtrim Çoçaj, i paraqitur si “përfaqësues i OJQ-ve”, por në fakt kandidat i PDK-së në zgjedhjet lokale 2021. Cilat OJQ përfaqëson? Me çfarë legjitimiteti?

• Kastriot Hoxha, i punësuar në Komunë, por i njohur për qëndrimet e hapura pro-PDK dhe Totajt.

Asnjëri prej tyre nuk ka përvojë apo kontribut real në fushat për të cilat ndajnë subvencione. Por të gjithë kanë diçka të përbashkët: lojalitet partiak dhe shërbim të bindur ndaj interesave të ngushta të Totajt dhe drejtorit për Kulturë, Adem Hoxha.

Kjo nuk është politikë kulturore, kjo është kapje e skenës kulturore. Totaj nuk po mbështet vlerat, por po ndërton një mekanizëm klientelist ku financimi varet nga bindja politike, jo nga merita.

Pasojat janë të qarta: shuarje e pavarësisë artistike e sportive, përbuzje ndaj punës së përkushtuar dhe shpërblim për militantizëm.

Prizreni meriton më shumë. Jo më shumë skema, por më shumë drejtësi. Jo më shumë militantë, por më shumë vlera.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here