Asambleisti i LVV-së në Prizren, Ilir Gashi, ka reaguar ashpër ndaj ndarjes së subvencioneve nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, duke e cilësuar procesin si klientelist dhe të udhëhequr nga interesa partiake, raporton 04 Online.
Ai akuzon kryetarin Shaqir Totaj dhe PDK-në për favorizim të rrethit të ngushtë politik, në dëm të organizatave me vlera të provuara kulturore, rinore dhe sportive.
Gashi u bën thirrje qytetarëve që të reagojnë ndaj këtij keqpërdorimi të parasë publike.
Reagimi i plotë i Ilir Gashit:
Ndarja e subvencioneve nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Prizrenit është pasqyrë e qartë e një mentaliteti të kalbur klientelist, që për katër vite me radhë e ka mbërthyer këtë komunë nën menaxhimin e Shaqir Totajt dhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK). Nuk ka më as pikë dyshimi: prioriteti kryesor në këtë proces nuk ka qenë as kultura, as rinia, as sporti, por shërbimi ndaj një rrethi të ngushtë partiak, politik e familjar.
Kriteret ligjore, profesionale e morale janë shpërfillur në mënyrë të turpshme. Subvencionet janë ndarë jo mbi bazën e përvojës, meritës, rëndësisë publike apo impaktit real në zhvillimin intelektual, kulturor e turistik të qytetit, por sipas afërsisë me partinë në pushtet dhe me njerëzit e kabinetit të kryetarit Totaj. Kjo është një tallje me qytetarët, me artistët, me aktivistët, me të rinjtë dhe me çdo njeri që ka kontribuar ndershmërisht për këtë qytet.
Si rezultat, organizatat që nuk kanë afërsi politike apo partiake me Shaqir Totajn, ose nuk kanë përfituar fare nga subvencionet e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, ose kanë përfituar ndjeshëm më pak se vitin e kaluar.
Janë lënë anash (pa mbështetje ose me mbështetje të përgjysmuar) festivale me nam ndërkombëtar, festivale ambientaliste që zhvillohen në Lumbardh, Panairi i Librit që mbledh botues dhe shkrimtarë nga i gjithë rajoni, shoqata me traditë të gjatë në bjeshkëtari, si dhe sportistë të dalluar me medalje të shumta dhe arritje të jashtëzakonshme.
Në anën tjetër, kanë përfituar shuma të majme organizata që janë themeluar vetëm pasi Totaj mori mandatin. Organizata të regjistruara në emër të grave, kunatave dhe miqve të bashkëpunëtorëve partiak, politikë e të “shoqërisë civile” të Shaqir Totajt.
Disa nga përfituesit nuk kanë asnjë faqe interneti, asnjë aktivitet të dokumentuar publikisht dhe asnjë kontribut të njohur për komunitetin prizrenas.
Ka organizata që e kanë selinë jashtë territorit të Komunës së Prizrenit por që çuditërisht gjejnë vend në listën e përfituesve.
Dy festivale të inicuar nga vetë Shaqir Totaj kanë përfituar mbështetje rekorde, megjithëse janë relativisht të reja dhe pa ndonjë trashëgimi apo ndikim të provuar.
Ose pas kësaj qëndron vetë kryetari Totaj dhe vartësi i tij për kulturë, ose kanë caktuar një komision të paaftë dhe joprofesional, i cili nuk është në gjendje të vlerësojë projekte që pasqyrojnë shpirtin krijues, artistik e intelektual të Prizrenit.
I bëj thirrje qytetarëve të Prizrenit, organizatave të shoqërisë civile, dhe të gjithë aktorëve të ndershëm të reagojnë fuqishëm kundër këtij abuzimi të paskrupullt me paranë publike. Heshtja sot është bashkëpunim me padrejtësinë.
Kultura nuk është pronë e partive.
Rinia nuk është vegël e pushtetit.
Sporti nuk është dekor për propagandë.
Qyteti i Prizrenit meriton më shumë. Meriton ndershmëri, barazi dhe dinjitet.