Frederik Veseli mund të jetë lojtari i radhës i Kombëtares shqiptar që do të veshë fanellën e Dinamos.
“Panorama Sport” zbulon ekskluzivisht se palët kanë pasur bisedime të avancuara kohët e fundit dhe janë shumë afër një akordi mes tyre.
Klubi kryeqytetas ka qenë shumë aktiv në ditët e fundit të merkatos, duke marrë në skuadër lojtarë si Rufati, Miço, Aliji dhe Toli, tre të parët mbrojtës dhe i fundit mesfushor me tipare mbrojtëse. Me këto afrime kryeqytetasit e përforcojnë ndjeshëm prapavijën, por sërish mund të bëjnë një tjetër “big”, siç do të ishte Veseli, nëse lëvizja do të konkretizohet.
Frederik Veseli ka provuar të luajë në disa kampionate gjatë karrierës, duke e nisur nga Anglia, me disa skuadra të ndryshme, për të provuar më pas Serinë A dhe B në Itali, me ekipe si Empoli dhe Salernitana. Sezonin e fundit mbrojtësi 31-vjeçar ishte pjesë e Karagumruk në Turqi, ku ka luajtur 22 ndeshje, 18 nga të cilat si titullar.
Mbrojtësi është aktivizuar me kombëtaret e moshave të Zvicrës, ndërsa më Kombëtaren shqiptare ai ka luajtur 44 ndeshje dhe ka qenë pjesë e skuadrës që mori pjesë në Europianin e Francës në vitin 2016. Ai përshtatet në të gjitha pozicionet e mbrojtjes, në qendër dhe në të dy krahët e këtij reparti dhe ndoshta kjo është arsyeja që blutë duan ta kenë në skuadër të paktën për këtë sezon.