Dhimbja që shkaktohet nga migrena mund ta bëjë të pamundur për dikë që të angazhohet nëpër aktivitete ditore, pasi shpesh mund të shoqërohet me simptome si mundimi, ndryshim në shikim, lodhje e të tjera, por kjo gjë mund të ndryshojë pasi sipas një studimi të ri, një ilaç i quajtur “Atogepant”, mund të ndalojë dhimbjen menjëherë.
Times of India ka raportuar se studimi që është publikuar në gazetën “American Academy of Neurology”, ka gjetur se njerëzit që përdorin ilaçin “atogepant” kishin më pak gjasë të kishin dhimbje nga migrena kur u krahasuan me ata që morën ilaçe placebo.
Njerëzit që konsumuan ilaçin e ri, përjetuan më pak dhimbje migrene për çdo javë gjatë katër javëve të para të përdorimit sesa ata që përgjatë javëve të para të studimit përdorën placebo.
“Duhet kohë për ta gjetur dozimin e saktë për çdo individ dhe mund të zgjasë me javë apo edhe muaj që të ketë efekte”, ka thënë autori i studimit, Richard B. Lipton, nga kolegji i mjekësisë “Albert Einstein” në Bronx të New Yorkut.
Ai gjithashtu ka thënë se disa njerëz heqin dorë nga ilaçi para se të mbërrijnë në këtë fazë dhe se shumë njerëz përjetojnë efekte anësore prej ilaçeve që tashmë ekzistojnë.
“Është diçka mjaft kritike të zhvillohet një ilaç që është efektiv e që vepron shpejt”, ka thënë Lipton.
Studimi ka zgjatur për një periudhë kohore prej 12-javësh dhe është ndarë në tri testime, bazuar në simptomat e pjesëmarrësve për të kuptuar se a është i sigurt përdorimi dhe se sa efektiv është ilaçi atogepant.
Njerëzit që kishin migrenë me episode kanë përjetuar më shumë se 14 ditë me migrenë brenda çdo muaji, ndërkohë që ata që patën migrenë kronike kanë përjetuar kokëdhimbje të paktën 15 ditë në muaj, me të paktën tetë ditë komplikime.
Në testime, u ndanë tri grupe.
Në testimin e parë u përfshinë njerëzit me migrenë episodike dhe ndërkohë që 222 njerëzve u është dhënë ilaçi i ri, 214 të tjerëve u është dhënë placebo.
Në testimin e dytë ishin përfshirë persona me migrenë episodike që nuk i janë përgjigjur mirë trajtimeve me ilaçe orale për parandalim të dhimbjes. Ilaçi i ri iu dha 151 personave në këtë grup ndërkohë që 154 të tjerëve ju është dhënë placebo.
Në testimin e tretë ku morën pjesë njerëz me migrenë kronike, ilaçi i ri ju dha 256 personave ndërkohë që 246 janë trajtuar me placebo.
Pas marrjes parasysh se faktorëve që mund të ndikojnë në nivelin e migrenës, studiuesit kanë gjetur se ilaçi i ri ka ulur mundësinë për të pasur migrenë për 61 për qind në grupin e parë, 47 për qind në të dytin dhe 37 për qind në testimin e tretë”.
Kur bëhet fjalë për migrenën që ndodh çdo ditë, pjesëmarrësit që u trajtuan me atogepant në dy testimet e para, patën mesatarisht një migrenë më pak në ditë, kur u krahasuan me gjysmën tjetër që u trajtuan me placebo.
Në testimin e tretë, ra numri i ditëve me migrenë për rreth 1.5 ditë brenda javës për ata që përdoren ilaçin e ri, kur u krahasuan me ata që patën 1 ditë më pak me migrenën brenda javës.
Pjesëmarrësit që përdorën atogepant gjithashtu përjetuan përmirësim të shëndetit në përgjithësi kur u krahasuan me ata që përdorën palcebon.
“Migrena është shkaktari i dytë që më së shumti ndikon në paaftësinë e përgjithshme të njerëzve dhe shkaktari i parë i paaftësive tek gratë e reja, me njerëz që raportojnë efekte negative në marrëdhënie, prindërim, karrierë e financa. Të kesh një ilaç të tillë që kryen punë shpejt e ka efekt të mirë, do të thotë se ky ilaç adreson çështje mjaft të rëndësishme”, ka thënë Lipton.