Një studim i ri ka treguar rezultate premtuese për një ilaç eksperimental që mund ta reduktojë rrezikun e sëmundjes së Alzheimerit të hershëm, ka raportuar The Independent.
Sipas studiuesve, këto rezultate rrisin shpresat se trajtime të ngjashme, që janë duke u zhvilluar për t’i luftuar format më të zakonshme të Alzheimerit, që shfaqen kur njerëzit janë në moshat 60, 70 ose 80 vjeç, mund të jenë gjithashtu efikase.
Studimi, i publikuar në revistën The Lancet Neurology, ka përfshirë 73 persona të cilit kishin mutacione gjenetike të rralla, të trashëguara, që shkaktojnë prodhimin e tepërt të proteinës amiloide në tru. Kjo i bën ata të prirë të zhvillojnë Alzheimer në moshën 30, 40 ose 50 vjeç.
Për 22 pacientët që nuk kishin probleme kognitive në fillim të studimit dhe që morën ilaçin antiamiloide për një periudhë mesatare prej tetë vjetësh, trajtimi ul rrezikun e zhvillimit të simptomave deri në 50%. Këto rezultate janë një shpresë e madhe jo vetëm për ata që kanë formën e hershme të Alzheimerit, por edhe për ata që mund të zhvillojnë sëmundjen më vonë, pas moshës 60-vjeçare.
Rezultatet e studimit mbështesin teorinë se amiloidi shkakton sëmundjen e Alzheimerit. Sipas teorisë, amiloidi formon pllakëza toksike rreth qelizave të trurit dhe, me kalimin e kohës, shkakton një ulje të mesazheve kimike, të quajtura neurotransmetues, të cilat janë të nevojshme për komunikimin midis qelizave të trurit.
“Secili person në këtë studim ishte i destinuar të zhvillonte Alzheimer, dhe disa prej tyre nuk kanë shfaqur ende simptoma. Nuk e dimë ende se sa gjatë ata do të mbeten pa simptoma – ndoshta disa vjet ose ndoshta disa dekada. Por ajo që dimë është se është e mundur të vonohet shfaqja e simptomave të sëmundjes së Alzheimerit dhe t’u ofrohen njerëzve më shumë vite jetë të shëndetshme”, ka thënë autori kryesor i studimit, Randall Bateman nga Universiteti Washington në St. Louis, Missouri.
Pjesëmarrësit e studimit ishin individë që kishin marrë pjesë në provën e parë për parandalimin e Alzheimerit që nisi në vitin 2012 dhe që vazhduan pjesëmarrjen në një fazë të studimit ku ata morën ilaçin antiamiloid. Të gjithë pjesëmarrësit nuk kishin humbje të theksuar kognitive dhe ishin në periudhën 15 vjet para dhe 10 vjet pas moshës së pritur të shfaqjes së Alzheimerit, bazuar në historinë familjare.
Pasi studimi fillestar përfundoi në vitin 2020, studiuesit raportuan se një nga ilaçet, gantenerumabi, ul nivelet e amiloidit në tru. Megjithatë, nuk u pa ndonjë përfitim të dukshëm kognitiv në atë kohë, pasi grupi pa simptoma, pavarësisht nëse morën ilaçin apo placebo, nuk kishte treguar rënie kognitive.
Për këtë arsye, studiuesit vazhduan të shqyrtojnë ilaçin për të parë nëse doza më të larta ose trajtimi më i gjatë mund të parandalonin ose vononin humbjen kognitive, dhe zbuluan se mund ta ulte rrezikun e shfaqjes së simptomave nga 100% në 50%.
Megjithatë, gantenerumabi nuk prodhohet më nga kompania që e zhvilloi, “Roche”, sepse ai nuk ngadalësoi simptomat e një forme më të zakonshme të Alzheimerit në një provë me 1,900 pjesëmarrës. Por, ka ilaçe të tjera antiamiloid që janë ende në zhvillim.
Përkundër faktit se ky studim u realizua vetëm me individë që kishin forma gjenetike të Alzheimerit që çojnë në shfaqje të hershme të sëmundjes, studiuesit shpresojnë se rezultatet do të ndihmojnë në përpjekjet për parandalimin dhe trajtimin e formave të tjera të sëmundjes së Alzheimerit.
Doktori Richard Oakley, drejtor asociues për studimin dhe inovacionin në Shoqatën Alzheimer, i cili nuk ishte i përfshirë në studim, ka thënë se ky studim tregon se ka “shpresë për të ardhmen” në luftën kundër Alzheimerit.
“Këto rezultate të hershme janë emocionuese dhe tregojnë se trajtimet antiamiloid, të filluara para se të shfaqen simptomat e Alzheimerit, mund të ndihmojnë të vonojnë shfaqjen e simptomave”, ka thënë ai.
Megjithatë, ai ka paralajmëruar se “kjo është vetëm një provë e vogël dhe do të na duhet një ndjekje më e gjatë e këtij grupi dhe studime më të mëdha për të kuptuar më shumë rreth efektit të këtyre ilaçeve”.