Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar vendimin më të ri që synon mbrojtjen e grupeve të rrezikuara nga temperaturat e larta, i cili ka hyrë në fuqi nga data 13 korrik dhe do të zgjasë deri më 20 korrik 2024.
Sipas këtij vendimi, gratë shtatzëna do të lirohen nga puna ose do të punojnë nga shtëpia.
Qytetarët me sëmundje kronike do të punojnë me orar të shkurtuar, deri në 4 orë në ditë.
Puna në sektorin e ndërtimtarisë në ambiente të hapura do të ndalohet gjatë orarit 11:00-17:00 në të gjithë territorin e Kosovës.
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka publikuar një listë të detajuar të sëmundjeve kronike për të ndihmuar institucionet dhe subjektet e ndryshme në zbatimin e vendimit.
“Me qëllim që institucionet dhe subjektet e ndryshme ta kenë më të lehtë zbatimin e vendimit për kategorinë e qytetarëve me sëmundje kronike, bashkëlidhur është një listë e sëmundjeve kronike, të cilat mund të konsiderohen me rastin e zbatimit të vendimit,” thuhet në njoftimin e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.