Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka njoftuar këtë të mërkurë se është konfirmuar rasti i parë i infeksionit me virusin e Nilit në vend.
Sipas njoftimit të IKSHPK-së, pacienti kishte qëndruar fillimisht në Shëngjin dhe më pas në Ulqin, ndërsa simptomat e para janë shfaqur pas kthimit nga Ulqini.
Aktualisht, pacienti po trajtohet në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.
Instituti Kombëtar u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes ndaj mushkonjave, pasi ato janë bartëse kryesore të virusit.
Gjithashtu, përmes disa fotografive të publikuara, IKSHPK-ja ka ofruar informacione të rëndësishme për virusin e Nilit Perëndimor, përhapjen e tij, simptomat, mënyrat e parandalimit, diagnostikimin dhe trajtimin.
Simptomat:
80% e njerëzve të infektuar nuk shfaqin simptoma fare.
20% e rasteve shfaqin simptoma të lehta deri mesatare, të ngjashme me gripin, si:
Ethe;
Dhimbje koke;
Lodhje;
Dhimbje trupi;
Dhimbje të kyçeve;
Vjellje;
Dhimbje në sy;
Rrash (skuqje e lëkurës);
Rreth 1% e rasteve zhvillojnë forma të rënda të sëmundjes, që mund të përfshijnë:
Encefalit (inflamacion i trurit);
Meningjit (inflamacion i membranave rreth trurit dhe palcës kurrizore);
Paralizë;
Disa raste mund të jenë fatale, sidomos tek personat e moshuar apo ata me sistem imunitar të dobësuar.
Parandalimi i sëmundjes përfshin shmangien e pickimeve nga mushkonjat përmes përdorimit të repelentëve, mbajtjes së rrobave mbrojtëse dhe eliminimit të vendeve ku mushkonjat mund të shumohen (ujëra të ndenjur).
Ethet e Nilit Perëndimor janë të zakonshme në rajone të ndryshme të botës, përfshirë Afrikën, Evropën, Lindjen e Mesme dhe Amerikën e Veriut.