Ikja e të rinjve nga Kosova, shqetësim i madh

0
158

Ikja e të rinjve nga vendi është bërë shqetësim, kanë vlerësuar njohës të fushës së ekonomisë.

Ish kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu thotë se vetëm në vitin 2022 kanë ikur afër 60 mijë persona.

Ndërsa, kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, vlerëson se ikja e tyre e varfëron Kosovën në gjithë parametrat ekonomikë. Ata po kërkojnë që ikja të ndalet.

Ikja e të rinjve duhet të jetë shqetësim kryesor i Kosovës, po konsideron eksperti i fushës së ekonomisë, Safet Gërxhaliu. Ai në një bisedë për Radio Kosovën tha se afër 60 mijë persona kanë ikur nga vendi vitin e kaluar.

“Nëse analizohet struktura e migrimit në vitin 2022 ka qenë afër 60 mijë veta që kanë ikur nga Kosova. Nuk po ikin vetëm të papunët, po ikin edhe të punësuarit me familje dhe kemi migrime ilegale”, tha ai.

Gërxhaliu po kërkon nga shteti që të bëhen më shumë kampanja vetëdijesuese në këtë drejtim në mënyrë që të ndalohet ikja e të rinjve.

“Duhet të kthehet besimi i humbur se në Kosovë mund të jetohet. E tëra kjo varet nga qasja e politikës, sa do të jenë transparentë pro kthimit dhe mbështetjes dhe sa do te jetë prioritet i prioriteteve ekonomia, e jo politika të jetë determinante e çdo gjëje në Kosovë”, tha ai.

Nga Aleanca Kosovare e Bizneseve, Agim Shahini, tha se ikja e të rinjve e varfëron shtetin në gjithë parametrat ekonomikë. Ai po ashtu tha se shteti duhet të krijojë mundësi të ndalë këtë ikje.

“Kuadrot tona po na i marrin tregjet e ndryshme ndërkombëtare. Kjo do të na varfërojë në masë të madhe si në konsum, ashtu në rritje ekonomike, mirëqenie dhe në të gjithë parametrat ekonomikë e po ashtu do të bie dukshëm nataliteti. Qeveria e vendit duhet të rritë mundësinë e perspektives për të rinjtë duke ofruar mundësi për punësim, hyrje në biznes dhe mbështetje të iniciativave të te rinjve”, tha ai.

Shteti gjerman synon të lejojë mbi 50 mijë punëtorë të pakualifikuar nga Ballkani Perëndimor që të punojnë atje. Kjo është bërë e ditur ditë më parë teksa e ka ndryshuar projektligjin për migracion.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here