Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka paralajmëruar se nga e enjtja, ditët pasuese do të karakterizohen nga fusha termike më të ulëta, tipike dimërore, gjatë të cilave në zona malore, por edhe në disa vise të ulëta, priten reshje bore.
Sipas IHMK-së, nga e enjtja deri të shtunën parashihet depërtimi i një mase të ftohtë ajrore me origjinë veriore, e cila “do të stabilizojë një regjim termik dukshëm më të ulët dhe do të gjenerojë kushte për mot të vranët dhe me reshje”.
“Në zonat malore priten reshje të vazhdueshme bore, ndërsa në ultësira reshjet fillimisht do të paraqiten në formë të rigave të dobëta shiu, të cilat me rënien progresive të temperaturave do të transitojnë gradualisht në reshje bore”, thuhet në njoftim.
Si rrjedhojë, edhe në disa zona të ultësirave priten intervale të shkurtra me reshje bore, kryesisht gjatë orëve të pasdites dhe mbrëmjes të së enjtes dhe të premtes, varësisht nga intensiteti i masës së ftohtë dhe profili termik i shtresës së ulët të atmosferës.
Sipas IHMK-së, të enjten temperaturat minimale do të lëvizin nga 1 deri në 3 gradë Celsius, ndërsa maksimalet nga 4 deri në 6 gradë.
Ndërsa të premten, temperaturat minimale parashihen të lëvizin nga 1 deri në 2 gradë, ndërsa maksimalet nga 4 deri në 6 gradë Celsius.














































