Arijon Ibrahimoviq ka folur shumëçka në intervistën e parë të dhënë për klubin italian, Lazio. Ai nuk e fsheh edhe origjinën e tij.
“Tashmë kam njohur disa lojtarë edhe pse jo personalisht, si Hysaj, pasi të dy kemi origjinën e njëjtë, jemi të dy shqiptarë. Nuk më dhanë ndonjë këshillë të veçantë në Bayern, por meqenëse unë kam luajtur tashmë në Itali dhe në Serie A me Frosinonen, di shumë për Italinë. Kampionati është i mirë. Jam shumë i lumtur që jam sërish këtu në Serie A”, ka thënë Ibrahimoviq.
Futbollisti i talentuar të hënën mbrëma kompletoi huazimin te Lazio nga Bayerni.
Ai ka folur edhe për ish-sulmuesin e Suedisë, Milanit, Manchester Unitedit, PSG-së, Barcelonës, Interit, Juventusit e skuadrave tjera, Zlatan Ibrahimoviq. Arijoni ka thënë se Ibrahimoviqi do të mbetet gjithmonë i pëlqyeri i tij.
“I pëlqyeri im është padyshim Ibrahimoviq, por edhe Cristiano Ronaldo. Megjithatë, në vendin e parë është gjithmonë Zlatani, më i madhi”, ka thënë Ibra kosovar. Zlatan Ibrahimoviqi i dha fund karrierës te skuadra e Milanit në vitin 2023. Tani te Milani e ka rolin e këshilltarit të pronarëve të klubit dhe menaxhmentit.
Arijon Ibrahimoviqi ka folur edhe për pritjen që i është bërë nga tifozët e Lazios dhe synimet që ka me klubin italian.
“Jam shumë mirënjohës dhe i gatshëm për këtë aventurë të re. Pashë disa ndeshje të Lazios, duke përfshirë atë të fundit kundër Comos dhe ndeshjen e Ligës së Evropës kundër Ajaxit të cilën e fitoi me meritë. Kur mbërrita në aeroport ishin disa tifozë që më pritën. Ishte e mrekullueshme dhe më bëri të ndihem rehat këtu. Qendra sportive është shumë e mirë. Mezi pres të filloj”.
Arijoni ka folur për anët e forta.
“Unë e konsideroj veten si një futbollist shumë kreativ, i mirë një kundër një dhe jam i fortë para portës. Megjithatë, ajo që vlerësoj më shumë është kreativiteti dhe aftësia ime për të qenë i gjithanshëm”.
Talenti 19-vjeçar është te Bayerni nga viti 2018, ndërsa ka kontratë me klubin bavarez deri në verën e vitit 2027.
Më herët ishte i huazuar te Frosinone.
Lazio e ka opsionin për të blerë kartonin e Ibrahimoviqit pas huazimit, por Bayerni e mban të drejtën për të riblerë atë.