Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka thënë se ka marrë informatë se pagat që u ndaluan nga Qeveria e Kosovës për grevistët në sektorin publik, janë ekzekutuar pasditen e së premtes dhe do të dalin nëpër xhirollogari të hënën.
Në Interaktiv të KTV-së, Ibrahimi ka thënë se këtë informatë e ka marrë si të konfirmuar nga kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci.
“Duke ardhur këtu më telefonoi zoti Lladrovci dhe më dha informatë për gëzim dhe më tha që në ora 15:00 Ministria e Financave i ka ekzekutuar pagesat. Kryetari Lladrovci ma dha si informatë të konfirmuar dhe kjo vjen pas një presioni të Asociacionit të Komunave. Bëhet fjalë për të gjithë punonjësit e sektorit publik në nivelin lokal”, ka thënë ai.
Ibrahimi ka thënë se edhe te metoda e pagesës “fshihet një lojë”.
“Janë ekzekutuar pasdite që të mos dalin nëpër xhirollogari deri të hënën. Për nesër kanë thirrur konferencë dhe me siguri për ta dhënë këtë lajm”, ka thënë ai.
Sipas tij, vendimi për ekzekutim të pagave ka ardhur pasi “Asociacioni ia hapi sytë Qeverisë”.
“Ata as që e kishin ditur që në kontrata është afati që paga duhet të dalë deri në datën 5”, ka thënë Ibrahimi.