Njësitë e antidrogës kanë zhvilluar një operacion të befasishëm në kuadër të planit operativ “Sezoni Veror 2025”, që ka rezultuar me arrestimin e një të dyshuari të ri për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur të premten rreth orës 21:15 në rrugën “Reshat Çoçaj” në Prizren, ku hetuesit e Njësisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë kanë tentuar ta ndalojnë një veturë VW Golf me targa vendore që drejtohej nga i dyshuari A.B, rreth 19-vjeçar.
I dyshuari nuk i është bindur urdhrave të policisë dhe ka tentuar të arratiset duke shtuar shpejtësinë e automjetit, por është ndalur pak minuta më vonë. Gjatë kontrollit në veturë janë gjetur disa doza me substanca të dyshuara narkotike të llojit marihuanë dhe kokainë, si dhe një mjet i mprehtë (thikë), të cilat janë sekuestruar menjëherë.
Në koordinim me prokurorin kujdestar është bastisur edhe banesa e të dyshuarit në rrugën “Ali Ibra” në Prizren, ku janë gjetur dhe sekuestruar dëshmitë e mëposhtme: Pesë (5) doza të dyshuara të llojit kokainë me peshë 1.29 gram, Dymbëdhjetë (12) doza të dyshuara të llojit marihuanë me peshë 14.68 gram, mbetje të substancës së dyshuar marihuanë me peshë 26.14 gram, dy peshore elektronike, 290 euro cash dhe 60 franga zvicerane, një mjet i mprehtë (thikë), një foli najloni dhe një sasi e qeseve plastike për paketim, dhe vetura me të cilën po udhëtonte.
I dyshuari është shoqëruar në Stacionin Policor në Prizren dhe është intervistuar në prani të avokatit të thirrur sipas detyrës zyrtare.
Me urdhër të prokurorit kujdestar, ndaj tij është caktuar masa e ndalimit për 48 orë dhe hetimet për narkotikë do të vazhdojnë nga Njësia për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Prizren./Gazeta Sinjali/