Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere miratoi unanimisht vendimin e Qeverisë për aprovimin e kërkesës për miratimin e Buxhetit për Komunat Gjakovë, Prizren, Suharekë, Malishevë, Vushtrri, Mitrovicë dhe Podujevë pas aprovimit të buxhetit për vitin 2022 nga kuvendet komunale.
Këtë vendim e ka arsyetuar ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, i cili theksoi se këto komuna kanë respektuar kufijtë buxhetor të dhënë nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.
“Këto komuna kanë pasur vonesa në miratimin e buxhetit të kuvendeve komunave siç parashihet me kornizën ligjore, andaj, ligji e parash që edhe pse ne tashmë kemi miratuar buxhetin në dhjetor të vitit të kaluar për vitin 2022, duhet të procedojmë në kuvend edhe buxhetin për këto komuna, pra që janë me vonesë. Komunat i kanë dorëzuar Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve vendimet e kuvendeve komunale në fjalë mbi aprovimin e buxhetit dhe të gjitha dokumentet e nevojshme, duke përfshirë këtu tabelat 4.1, 4.2 dhe 4.3. Kështu të gjitha komunat i kanë respektuar kufijtë buxhetor të dhënë nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve”, tha ai.
Kryetari i Komisionit, Armend Muja kërkoi që buxheti i shtatë komunave të miratuar me vonesë, të pasqyrohet në tabelat buxhetore të Ligjit për Buxhetin e Kosovës 2022.
“Buxheti për Malishevë, Vushtrri, Mitrovicë, Gjakovë dhe Podujevë për vitin 2022 i aprovuar nga kuvendet komunale të pasqyrohet në tabelat buxhetore të Ligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2022, konstatoj që është miratuar”, tha ai.
Komisioni në mbledhjen e sotme ka formuar grupin punues lidhur me Shqyrtimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Akcizën në Produktet e Duhanit, si dhe grupin punues lidhur me Shqyrtimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Financimin e Subjekteve Politike./kp