Policia e Kosovës njofton se të mërkurën, më datë 18.02.2026, pasi policët e njësitit për realizimin e urdhëresave të Stacionit Policor Prizren, duke vepruar sipas një plani taktik-operativ, pa ndërprerë kanë kërkuar personin e shpallur në kërkim sipas tri urdhërarresteve, i dënuari A.Q., mashkull nga Prizreni, është vetëdorëzuar në Qendrën e Paraburgimit.
Sipas njoftimit, i njëjti ka qenë në kërkim me tri urdhëresa dhe ishte i dënuar gjithsej me 3 vjet e 110 ditë burg efektiv, me vendim të plotfuqishëm të Gjykatës Themelore të Prizrenit.
“I arrestuari është dënuar me 3 vjet e 110 ditë burg, në tri raste të ndryshme, për veprën penale ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’, sipas nenit 267, paragrafi 2 i KPRK-së” – thuhet në njoftim.














































