Një numër i madh i të dyshuarve që kërkohen nga organet e rendit arrijnë ta shijojnë lirinë nga arratia. Plot të akuzuar e të dënuar për vepra të ndryshme penale, që kanë ikur nga duart e drejtësisë, shpallen në kërkim dhe ndaj tyre lëshohen urdhëresa, raporton Gazeta Sinjali.
Së fundmi, Policia në Prizren e ka arrestuar një person, ndaj të cilit kishte urdhëresë aktive nga Gjykata Themelore në Prishtinë.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se bëhet fjalë për Përparim Krasniqin, i cili u arrestua në rrugën “Ibrahim Rugova” në Prizren.
I njëjti u ndalua dhe pas verifikimit, rezultoi se po kërkohej nga gjykata, pasi ishte shpallur fajtor dhe ishte dënuar me 8 muaj burgim për një rast të mëhershëm.
Krasniqi është dënuar për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.
Pas përfundimit të procedurave policore, i njëjti është dërguar në njërën nga qendrat korrektuese në vend për ta vuajtur dënimin./Gazeta Sinjali/