Nga 29 janari i këtij viti, qytetarëve të Kosovës dhe atyre italianë do t’u njihen patentë shoferët në të dyja shtetet.
Kështu ka bërë të ditur Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës duke njoftuar se ka hyrë në fuqi marrëveshja e arritur mes dy shteteve.
Sipas njoftimit, kjo marrëveshje u mundëson qytetarëve “të bëjnë konvertimin e dokumenteve pa pasur nevojë t’u nënshtrohen procedurave shtesë, as nga pjesa teorike, as nga pjesa praktike”.
“Zbatimi i kësaj marrëveshjeje është një hap i rëndësishëm drejt integrimit të qytetarëve të Kosovës që jetojnë në Republikën e Italisë”, ka thënë MPB-ja në njoftim.
Njoftimi i plotë:
Hyn në fuqi marrëveshja për njohjen e patentëshoferëve mes Kosovës dhe Italisë
Ministria e Punëve të Brendshme njofton qytetarët e Republikës së Kosovës se, nga sot, ka hyrë në fuqi zbatimi i marrëveshjes reciproke për njohjen e patentëshoferëve mes Kosovës dhe Italisë.
Njohja e patentëshoferëve u mundëson qytetarëve të bëjnë konvertimin e dokumenteve pa pasur nevojë të nënshtrohen procedurave shtesë, as nga pjesa teorike, as nga pjesa praktike.
Zbatimi i kësaj marrëveshjeje është një hap i rëndësishëm drejt integrimit të qytetarëve të Kosovës që jetojnë në Republikën e Italisë. Njëkohësisht, kjo marrëveshje do të lehtësojë barrën ekonomike për qytetarët që kanë nevojë ta ndërrojnë dokumentin.
Finalizimi i këtij procesi është një hap i rëndësishëm për vendin tonë dhe qytetarët tanë, sepse me këtë rast do të riafirmohen raportet e shkëlqyera që gëzojnë Republika e Kosovës me Republikën e Italisë.