Një frigorifer bosh mund të jetë shumë më tepër se një neglizhencë momentale apo një shenjë e zakonshme harrese. Në fakt, mund të jetë një nga treguesit e parë të një çrregullimi të kujtesës në fazat e hershme të demencës.
Ky është një nga përfundimet alarmante që vjen nga ekspertja finlandeze e të ushqyerit për të moshuarit, Meria Suominen, profesoreshë në Universitetin e Helsinkit, e cila nënvizon se ndikimi i demencës fillon shpesh në vendin më të papritur: në kuzhinë.
Sipas Suominen, ndryshimet në të ushqyer, si në blerjen, përgatitjen apo vetë të ngrënit, janë ndër shenjat e para që familjarët duhet të vëzhgojnë me kujdes. Një model i njëanshëm i të ushqyerit, ku në frigorifer mund të gjenden vetëm bukë dhe djathë, ose produkte të prishura që nuk konsumohen, mund të tregojë një vështirësi në organizim dhe vendimmarrje, që lidhet jo vetëm me kujtesën, por edhe me funksionet ekzekutive të trurit.
Këto vështirësi nuk prekin vetëm personat që më parë kishin një marrëdhënie të zakonshme me kuzhinën. Edhe ata që kanë qenë entuziastë të gatimit mund të ndihen papritur të paaftë për të ndjekur recetat e tyre të preferuara, duke humbur interesin për ushqimin dhe përgatitjen e tij. Edhe një vizitë në një dyqan të njohur mund të kthehet në një sfidë të ndërlikuar, ku vendimmarrja për çfarë të blihet dhe si të kombinohen ushqimet bëhet befas e pamundur.
Humbja e peshës, në këtë kontekst, është një tjetër shenjë e hershme që nuk duhet neglizhuar. Ulja e konsumit të ushqimit dhe kufizimi i dietës në pak artikuj mund të çojë në kequshqyerje, duke prekur seriozisht shëndetin fizik dhe mendor të personit.
Por ushqyerja nuk është vetëm pasojë, ajo është edhe pjesë e zgjidhjes. Studimet më të fundit kanë treguar se një dietë e shëndetshme, e pasur me perime, yndyrna të mira dhe proteina, mund të ndihmojë në ngadalësimin e përkeqësimit të funksioneve të kujtesës. Edhe pasi demenca është diagnostikuar, ruajtja e një ushqyerje të balancuar mbetet thelbësore për cilësinë e jetës.
Suominen sugjeron një rutinë të rregullt të vakteve, përgatitje paraprake të ushqimeve dhe përfshirjen e vakteve të gatshme dhe të shëndetshme që gjenden në treg, veçanërisht ato me përmbajtje të lartë proteinash si peshku. Kjo qasje jo vetëm që ndihmon në ruajtjen e peshës trupore, por edhe në shmangien e sarkopenisë, humbjes së masës muskulore, e cila në kombinim me kequshqyerjen krijon një cikël të rrezikshëm dobësie dhe pasiviteti.