Asambleisti i GUXO-s në Prizren, Petrit Hoxhaj, ka njoftuar se nesër do të nënshkruhet kontrata për ndërtimin e urës këmbësore te “Mrizi” në Muradem dhe investime infrastrukturore në Vlashnje e Muradem, me vlerë mbi 532 mijë euro, raporton 04 Online.
Projekti synon zhvillimin e turizmit dhe përmirësimin e jetës në këto fshatra.
Njoftimi i plotë i Hoxhajt:
Ura këmbësore tek Mrizi në Muradem do të ndërtohet
Jam tej mase i lumtur t’ju informoj se nesër do të nënshkruhet kontrata për një investim të rëndësishëm në fshatrat Vlashnje dhe Muradem, me një vlerë totale prej 532,835.27 euro.
Ky projekt përfshin ndërtimin e infrastrukturës rrugore si dhe krijimin e ambienteve për zhvillimin e turizmit malor dhe rural, me qëllim përmirësimin e jetës së përditshme të banorëve dhe tërheqjen e vizitorëve në këto zona me potencial të madh natyror.
Pjesë e këtij investimi do të jetë edhe ndërtimi i urës te vendi i njohur si “Mrizi”, pranë xhamisë së fshatit Muradem, e cila do të lidhë rrugën e Malit të Vlashnjes me Murademin, duke krijuar një lidhje më të shpejtë dhe më të sigurt për banorët dhe vizitorët.
Ky investim financohet nga Drejtoria e Turizmit në Komunën e Prizrenit, me mbështetjen e autoritetit kontraktues, dhe është dëshmi konkrete e angazhimit tonë për zhvillimin e zonave rurale dhe fuqizimin e infrastrukturës lokale.