Hoxhaj: Edhe sa jetë duhet të rrezikohen që Komuna të marrë masa konkrete për rregullimin e komunikacionit?

0
148

Asambleisti i GUXO-s në Prizren, Petrit Hoxhaj, ka ngritur shqetësimin për aksidentet e shpeshta në rrugët e qytetit dhe fshatrave, duke fajësuar mungesën e sinjalistikës si shkaktarin kryesor, raporton 04 Online.

Ai kritikoi Komunën për injorimin e kërkesave të përsëritura nga përfaqësuesit lokalë, përfshirë edhe Shukri Qunin, dhe kërkoi veprim të menjëhershëm për të parandaluar humbjen e jetëve.

Reagimi i plotë:

Edhe sa aksidente duhet të ndodhin që Komuna e Prizrenit të reagojë?

Të nderuar qytetarë të Komunës së Prizrenit,

Pothuajse çdo muaj jemi dëshmitarë të aksidenteve të rënda në rrugët e qytetit dhe fshatrave tona. Për fat të keq, disa nga këto aksidente kanë përfunduar me humbje të jetëve njerëzore. Dhimbja që ndjen një familje për humbjen e një të dashuri nuk shërohet kurrë – dhe kjo dhimbje mund të ishte shmangur, nëse institucionet do të kishin vepruar me kohë.

Shkaktari kryesor i këtyre aksidenteve është mungesa e sinjalistikës rrugore – mungesa e shenjave paralajmëruese, ndriçimit, vijave të bardha dhe elementeve bazë të sigurisë në trafik.

Çfarë po presim më? Edhe sa jetë duhet të rrezikohen që Komuna të marrë masa konkrete për rregullimin e komunikacionit?

Kujdesi në rrugë është përgjegjësi e secilit prej nesh. Por, nuk mjafton vetëm kujdesi i qytetarëve – përgjegjësia kryesore bie mbi institucionet komunale. Dikush na pret në shtëpi. Jeta është e çmuar, prandaj mos e drejtoni makinën pa kontroll, mos e rrezikoni veten dhe të tjerët.

Ndërkaq, Komuna e Prizrenit për katër vite me radhë ka injoruar kërkesat e përfaqësuesve të saj në Kuvendin Komunal siç éshtë rasti me Shukri Quni për rregullimin e sinjalistikës rrugore, si në qytet ashtu edhe në fshatra. Kjo neglizhencë është e papranueshme dhe e pajustifikueshme.

I bëjmë thirrje Komunës: Veproni tani, para se të jetë vonë!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here