Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha se ish-nënkryetari i Listës Serbe në Kosovë, Milan Radoiçiq vazhdon të jetë kërcënim serioz për Kosovën por edhe rajonin.
Hoxha tha se shteti i Kosovës do të kërkojë ekstradimin e tij nga Serbia në mënyrë që ai të japë llogari edhe për personat e tjerë që kanë qenë të përfshirë në sulmin terrorist të 24 shtatorit.
“Ky person i cili ka qenë edhe në listën e zezë të ShBA-së, ka qenë në kërkim nga Policia e Kosovës dhe shteti i Kosovës, vazhdon të jetë kërcënim serioz jo vetëm për Kosovën por edhe për Rajonin. Tash po tentohet që edhe Qeveria e Serbisë të shfajësohet duke e gjuajtur gjithë përgjegjësinë tek ky, mirëpo ky person është person që ka përgjegjësi politike, njeriu i dytë në Listën serbe dhe shumë i afërt me Qeverinë në Beograd. Shihet duke marrë pjesë edhe në ekspozitat dhe panairet e armëve që janë bërë në Beograd, me shumicën prej njerëzve që i ka afër atje dhe pastaj merr guximin që të sfidoj pothuajse institucionet e Kosovës, institucionet e KFOR-it ndërkombëtare brenda territorit tonë mirëpo kësaj radhe u pa që e kishte gabim ndërmarrjen e tij sepse mori përgjigjen e merituar nga institucionet e Kosovës, respektivisht nga Policia e Kosovës. Do të vazhdojmë të kërkojmë ekstradimin e tij. Ne e kemi bërë tashmë një kërkesë tek policia e EULEX-it që kërkojmë nga policia e Serbisë që të bëjë ekstradimin dhe po ashtu të jap informacione për këtë dhe personat tjerë që kanë qenë të përfshirë në sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit”, deklaroi Hoxha në Tëvë1.