Hovenier: Normalizimi Kosovë-Serbi përmbyllet me njohje reciproke – zbatimi i Marrëveshjes Bazë, hap i madh për rrugën drejt BE-së

0
177

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Jeff Hovenier, ka publikuar një video adresim në prag të Vitit të Ri duke thënë se gjatë vitit 2023 ka pasur momente të vështira dhe është arritur shumë përparim, gjë që duhet pranuar dhe festuar.

Hovenier ka thënë se mbi të gjitha, partneriteti dhe miqësia në mes të SHBA-së dhe Kosovës mbetet e fortë. Ai ka numëruar edhe arritjet e përbashkëta në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës.

Ambasadori amerikan ka thënë disa fjalë edhe për dialogun Kosovë-Serbi si një prej çështjeve që ka marrë shumë kohë dhe energji.

Ai ka thënë se SHBA pret përparim të njëmend gjatë vitit 2024, duke kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të përmbushin obligimet që dalin nga Marrëveshja e Ohrit dhe gjithashtu ka kërkuar nga Kosova që të themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Ambasadori amerikan ka thënë se procesi i normalizimit Kosovë-Serbi përmbyllet me njohje reciproke dhe ka thënë se zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit dhe Aneksit të Implementimit është hap i madh drejt këtij synimi.

Në shkurt dhe në mars të këtij viti, Kosova dhe Serbia ndërmorën hapa të rëndësishëm dhe të guximshëm drejt normalizimit të marrëdhënieve me përmbylljen e Marrëveshjes Bazë dhe Aneksit të Zbatimit.

“Edhe pse ka pasur disa ngecje, ne jemi plotësisht të përkushtuar për zbatimin e saj. Ne besojmë fuqishëm se populli i Kosovës do të përfitojë jashtëzakonisht shumë nga zbatimi i plotë, si nga Kosova, ashtu edhe nga Serbia të zbatimeve të tyre sipas marrëveshjes. Në vitin 2024, shpresojmë të shohim përparim të njëmendtë, duke përfshirë Serbinë që ndërmerr hapa të rëndësishëm në përmbushjen e detyrimeve të saj sipas marrëveshjes,  si dhe Kosovën që përmbushë detyrimet e saj, duke përfshirë hapa drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Përfundimisht ky proces i normalizimit përmbyllet me njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë, përderisa të dyja vendet kërkojnë të përmbushin rrugëtimin e tyre drejt BE-së. Zbatimi i Marrëveshjes bazë dhe ankesit të saj paraqet hap të madh drejt asaj të ardhmeje”, ka thënë Hovenier. /Reporteri

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here