Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet pa vonesa të zbatojnë obligimet e dala nga dialogu i Brukselit.
Ai në Samitin e Kosovës për Paqe dhe Demokraci, tha se mbështesin Kosovën në aspiratat e saja për anëtarësim në Bashkim Evropian dhe NATO.
“Mesazhi ynë është i qartë se duhet angazhim për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi me synim përfundimtar njohjen e ndërsjellë. Ky mbetet synimi i qartë i SHBA-së… Presim të dy qeveritë të veprojnë në përputhje me të gjitha obligimet e marra në dialog. Presim të marrin dialogun seriozisht”.
“Një nga gjërat që më befason është ky supozim nga akterë të ndryshëm në Kosovë se ka rrugë tjetër pos dialogut. Sugjerimi se nëse amerikanët, gjermanët, zgjedhin të favorizojnë atëherë bëjnë me gishta apo shkop magjik e largohen problemet. Bota nuk punon ashtu”, tha Hovenier.