Kosovës dhe Serbisë po vazhdohet t’iu kërkohet zbatimi i obligimeve nga dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Zyrtari i fundit që e bëri sërish një thirrje të tillë është ambasadori amerikan në Prishtinë. Jeffrey Hovenier tha të mërkurën se Shtetet e Bashkuara presin nga palët t’i zbatojnë pa parakushte dhe me urgjencë të gjitha detyrimet, raporton Gazeta Sinjali.
Por, edhe pse u arrit marrëveshja për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve në fillim të vitit 2023, ajo nuk ka gjetur zbatim nga asnjë palë deri tani.
Takimet bilaterale të nivelit të lartë para disa javësh nuk sollën rezultate, e madje s’pati as takim trilateral. Kurti i vuri tri kushte për ta takuar presidentin serb: nënshkrimin e Marrëveshjes Bazë, tërheqjen e letrës me të cilën Serbia refuzoi zyrtarisht ta zbatonte marrëveshjen me Kosovën dhe dorëzimin në Kosovë të Millan Radoiçiqit, i dyshuar për organizimin e sulmit të armatosur në Banjskë.
Njëjtë përfundoi edhe takimi i kësaj jave, në nivel kryenegociatorësh.
Kosova po e akuzon Serbinë pse dëshiron vetëm zbatimin e pjesshëm të Marrëveshjes Bazë, ndërsa kjo e fundit e kritikoi palën kosovare se nuk dëshiron ta themelojë Asociacionin, që është pjesë e marrëveshjes.
Por, Hovenier mbrëmë ishte i qartë kur foli për marrëveshjet, duke thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës presin nga dy palët që të përmbushen detyrimet.
“Ne presim nga Kosova dhe nga Serbia që t’i përmbushin të gjitha detyrimet që i kanë pranuar në dialog, përfshirë Marrëveshjen Bazë dhe Aneksin e Ohrit dhe ta bëjnë këtë me urgjencë, pa parakushte dhe pa i lidhur ato me çështje të jashtme”, tha Hovenier në një intervistë për Rubikon në Klan Kosova, transmeton Sinjali.
Hovenier tha se marrëveshja është “plotësisht zyrtare” pavarësisht se nuk është nënshkruar nga palët, duke shtuar se SHBA beson se njohja e ndërsjellë duhet të jetë rezultati përfundimtar i dialogut.
“Mendoj se ka disa njerëz në Kosovë që brengosen kur ne themi ‘normalizimi i marrëdhënieve’, kjo nuk është diçka që kërkohet përfundimisht. Sepse, qëndrimi i Shteteve të Bashkuara ka qenë i qartë në mënyrë dypartiake. Shtetet e Bashkuara besojnë se rezultati përfundimtar i këtij procesi mund të jetë vetëm njohja e ndërsjellë”.
Ambasadori amerikan ka folur edhe për Asociacionin dhe draft-statutin evropian, për të cilin tha se “nuk është non-paper”, duke hedhur poshtë pretendimin e kryeministrit Kurti.
Ai i bëri thirrje përsëri Kosovës ta dërgojë këtë draft në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim e jo në Komisionin e Venecias.
“Të jemi të qartë, ky nuk është non-paper, ky nuk është diçka që ne thjesht ua dorëzuam atyre rastësisht. Ne e dorëzuam atë duke thënë se besojmë se [drafti] krijon një Asociacion që i mbron të gjitha shqetësimet që i keni paraqitur ju, i cili nuk kërkon asnjë ndryshim në Kushtetutën [e Kosovës], i cili nuk ka autoritet ekzekutiv. Kjo i mjafton Kosovës për ta përmbushur detyrimin e saj për themelimin e Asociacionit përmes këtij drafti”, tha ai.