Kryetari i Delegacionit Qeveritar për Personat e Pagjetur, Andin Hoti, ka thënë se pas më shumë se një viti negocimi në Bruksel, Serbia e ka pranuar deklaratën për personat e zhdukur.
Hoti tha se për herë të parë pas shumë sfidave dhe pas 24 vjetësh, u arrit që Serbisë t’i imponohet adresimi i drejtë i përgjegjësisë për të zhdukurit, si viktima të luftës që kërkojnë zgjidhje dhe drejtësi në bazë të konventave ndërkombëtare.
“Prandaj më nuk do të ketë vetëm persona të zhdukur, por persona të zhdukur me dhunë nga shteti serb. Gjithashtu, më duhet të theksoj si tepër të rëndësishme, që me anë të kësaj deklarate Serbia detyrohet të marrë përsipër hapjen e arkivave dhe prezantimin e dokumenteve sekrete mbi vendndodhjen e personave të zhdukur me dhunë”, është shprehur Hoti, transmeton Klankosova.tv.
Tutje, Hoti tha se deklarata, sapo të pranohet nga niveli i lartë Kurti – Vuçiq, do të bëhen publik edhe hapat e ardhshëm të nevojshëm për zbatimin e kësaj deklarate.
Ai tha se për këtë, Kosova pret përkrahjen e fuqishme dhe të nevojshme nga ShBA-ja dhe BE-ja.
“Mbetet edhe shumë pune dhe përpjekje për tu bërë që të arrijmë në qëllimin tonë kryesor: Zbardhjen e fatit të personit të fundit të zhdukur me dhunë në Kosovë”, tha ai.