Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, përmes një postimi në Facebook ka kritikuar Qeverinë për Projektligjin e ri për sigurime shëndetësore.
Ai thotë se ky projektligj është përgatitur për ta mbuluar dështimin 4-vjeçar të Qeverisë në shëndetësi dhe sipas tij projektligji në fjalë është një kopje e ligjit ekzistues që nga viti 2014.
“Nga krahasimi nen për nen i projektligjit të ri me ligjin në fuqi të vitit 2014, vërehet se shumica e neneve janë pothuajse identike. Disa nene janë riorganizuar e janë zgjeruar, por që nuk ndryshojnë asgjë në esencë krahasuar me ligjin ekzistues. Shkalla e kontributit mbetet e njëjtë, 3.5% nga punëdhënësi dhe 3.5% nga punëtori”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Mes tjerash, deputeti i LDK-së ka listuar disa mangësi në sistemin shëndetësor të renditura si në vazhdim:
1. Nuk janë funksionalizuar sigurimet shëndetësore,
2. Nuk është funksionalizuar sistemi informatik shëndetësor,
3. Është bërë kaos me listën e barnave esenciale,
4. Furnizimi me barna është joefikas,
5. Emigrimi i mjekëve dhe stafit ndihmës mjekësor është 50% më i lartë se para vitit 2021 ,
6. Buxheti për shëndetësi është larg nivelit të kërkuar me standarde evropiane, ku Kosova shpenzon vetëm 3.5% të PBB-së në shëndetësi, krahasuar me 6% të PBB-së sa janë standardet evropiane,
7. Investimet kapitale janë tepër të ulëta për të arritur modernizimin e institucioneve shëndetësore.