Zhuri është vendbanim i hershëm iliro – dardan.
Në oborrin e Xhamisë së madhe të Zhurit gjendet stella prej gurit e periudhës romake, dimensionet e saj janë afro 1,30 x 0,60 x 0,50 m, në të cilën është i gdhendur teksti dhe hardhia me kalaveshin e rrushit, veçori këto të epigrafisë dardane.
Sipas të moshuarve stella është marrë nga një arë e quajtur “Ara e Popit” ku te zhurjanët brez pas brezi është përcjellur se popullata në Zhur është shpërngulur nga Gomëni (vend në afërsi të Zhurit të sotëm) për t’u mbrojtur nga sulmet osmane. Në vendin e quajtur Gomën ende ekzistojnë themelet e kishës iliro – shqiptare, me të cilën dëshmohet se ky lokalitet ka qenë i banuar që në kohën e hershme përkatësisht në kohën e Dardanisë.
Konkretisht në territorin e Zhurit, disa herë ishin sulmuar konvojet e ushtrisë osmane të cila kalonin nëpër këtë territor për të vazhduar rrugëtimin e tyre për në thellësi të Shqipërisë. Në shenjë hakmarrje ushtria osmane kishte ushtruar terror dhe masakrime ndaj popullatës zhurjane. Për t’u mbrojtur ndaj sulmeve osmane popullata vendase fillojë të dyndet nga Gomëni në brendin e thellë të Zhurit të sotëm dhe atë rrëzë maleve përkatësisht Bjeshkës së Zhurit.
Në histori shkruhet se në vitin 1881 në Qafën e Zhurit u organizua rezistenca kundër forcave osmane të udhëhequra nga Dervish Pasha. Gjithashtu edhe në vitin 1884 është organizuar një rezistencë tjetër kundër forcave osmane, konkretisht është sulmuar garnizoni i ushtrisë osmane i stacionuar në Zhur, nga forcat e ushtrisë lumjane e zhurjane të prira nga Ramadan Zaskoci e Shaqir Ali Zhuri.
Kur Ramadan Zaskoci natën e 27 gushtit të vitit 1878 me dy shokët e tij, bëri atentat ndaj telegrafistit të Mehmet Ali Pashës, për të mos rënë në duart e osmanlinjëve iku nga Prizreni dhe u strehua në Zhur, në konakun e Shaqir Ali Zhurit.
Zhuri në historinë kombëtare shqiptare njihet edhe për Betejën e përgjakshme të nëntorit të vitit 1912 kur në “Qafë të Zhurit” u përplasën ushtria serbe dhe luftëtarët e Lumës të prirë nga Ramadan Zaskoci, Islam Spahia, Cen Daci, Syl Elezi etj. Në këtë betejë që zgjati 2 – 3 ditë, ushtria serbe pësoi goditje të rëndë, duke lënë në fushën e betejes shumë të vrarë e të plagosur.
Pas këtij dështimi ushtria serbe në shenjë hakmarrje, në Zhur mori peng 37 shqiptarë dhe kreu disa nga masakrat më të rënda në këto territore, masakrën në fshatin Mirëz (Dobrusht) ku vrau të gjithë burrat e fshatit dhe në fshatin ish Kushtrim (Billush). Në mëngjesin e 14 marsit të vitit 1914 në Zhur sulmohen forcat serbe (porta kufitare) nga kryengritësit lumjan dhe zhurjan, në këtë betejë vriten shumë ushtarë serb.
Në shkurt të vitit 1915 në Zhur zhvillohet edhe një betejë tjetër kundër forcave serbe, konkretisht sulmohet garnizoni i ushtrisë serbe, me këtë rast vriten mbi 100 ushtar serbë në ballë të forcave lumjane ishte Hasan Prishtina. Me forcat e Hasan Prishtinës u bashkuan edhe shumë zhurjan të udhëhequr nga prisit lokal të kohës si: Mulla Nasuf Zhuri, Dan Gavazi e Asllan Rexhë Ademaj. Luftimet në këtë betejë zgjate disa ditë, luftimet ishin të ashpra.
Forcat ushtarake Serbe të stacionuara në Prizren arritën t’i rikthejnë pozicionet e tyre dhe ta ripushtojnë Zhurin. Popullata zhurjane nga frika e ndonjë masakre, për disa muaj qëndroi në Shqipëri, thuhet afro 6 muaj. Zhuri gjatë viteve 1916 – 1918 ishte pushtuar nga forcat austro-hungareze.
Sipas gazetës “Posta e Shqipnisë” nr. 82 të datës 19.09.1917,
“Në Zhur në këtë kohë kishte lulëzuar tregtia, vlerësohet se Zhuri kishte afro 100 dyqane. Zhuri ishte i lidhur me qytetin e Ferizajit me anë të një treni miniaturial. Në Zhur në këtë kohë kishte edhe një shtypshkronjë për shtypjen e monedhës dhe ishte hapur një mësonjëtore ku nxënësit mësonin në gjuhën shqipe (1917)”.
Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, Prizreni rrjedhimisht edhe Zhuri ripushtohet nga forcat serbe.
Gjatë vitet 1918- 1941 Zhuri u përball me sundimin e egër të shtetit borgjez serbo-sllav. Ushtria serboborgjeze (e stacionuar në Zhur) ushtronte terror në popullatën zhurjane, duke rrahur, burgosur, dhe vrar të gjithë ata individ të cilët kishin ide përparimtare dhe vlersoheshin si të rrezikshëm për pushtetin e kohës.
Ushtria serbe kishte arrestuar Asllan Rexhë Ademajn dhe e internoi. Për fatin e tij nuk u mësua asnjëherë por supozohet se ai është ekzekutuar.
Ushtria serbe Mulla Nasuf Zhurin (imamin e fshatit i cili shquhej për veprimtarin e tij atdhetare) e deportoi dhunshëm për në Shqipëri. I ndjeri vdiq në Shqipëri në vitin 1924. Varri i tij ndodhet edhe sot në Kolsh.
Nga viti 1945 e gjerë në vitin 1999 pa dëshirën e tij Zhuri, ishte pjesë përbërse e ish Jugosllavisë komuniste. Zhurjanët kurrë nuk u pajtuan me riokupimin komunist dhe disa herë organizuan protesta dhe demonstrata antikomuniste, kështu ishte në vitet 1945, 1968, 1981 etj. Por, gjithësesi demonstrata e 28 marsit të vitit 1989 ishte nga demonstratat më të mëdha dhe më të fuqishme e cila u organizua jo vetëm në Zhur por edhe më gjerë kundër pushtuesit serbokomunist, në mbrojte të autonomisë së Kosovës dhe të shkollës shqipe.
Në këtë demonstrate masive morën pjesë me mijëra banor të Zhurit dhe të lokalitetit. Forcat kriminale policore serbe shtin me armë zjarri në masën e demonstruesve me ç’rast vriten 3 prej tyre (Xhymshit, Xhylbehar dhe Hajrim Badallajn) dhe plagosën me dhjetra të tjerë. Njëri prej demonstruesve të vrar Hajrimi, ishte fëmijë përkatësisht nxënës i cili i vijonte mësimet në klasën e VI-të të shkollës fillore të Zhurit.
Që të tre këta demonstrues të vrarë u shpallën Dëshmor. Në shenjë respekti Ministria e Arsimit e Republikës së Kosovës, me Vendimin nr. 8 të datës 20 qershor 1992, shkollën e Zhurit e ri – emërtoi me emrin “Dëshmorët e Zhurit” emër ky që simbolizon dëshmorët e vrarë në demonstratën e datës 28 mars 1989, emër të cilin shkolla e Zhurit vazhdon ta mbajë me shumë krenari edhe sot.
Pas daljes publike të UÇK-së, shumë të rinjë dhe të reja nga Zhuri, ju bashkuan radhëve të kësaj ushtrie të lavdishme çlirimtare dhe kontribuan për çlirimin definitive të Kosovës.
Shumë prej tyre ranë në altarin e lirisë, shumë të tjerë u plagosën Në altarin e lirisë ranë: Remzi Ademaj (Komandant Petriti), Mevlan Hoxhaj, Feriz Susuri, dhe Behamir Memaj.
(c) Zhur Press, Facebook