Historia e errët e persekutimit: Artistët e cirkut konsideroheshin nga nazistët si mashtrues

0
368

Kur Frieda eci për herë të parë në litar, në vitin 1938, Hitleri kishte tashmë pesë vjet në pushtet. Në atë kohë shteti nazist i depononte në kampet e përqendrimit ciganët dhe romët, të cilët nuk ishin të gatshëm të hiqnin dorë nga profesioni i tyre. Disa ishin tregtarë, muzikantë apo artistë.

Që në vitin 1933 këto profesione konsideroheshin si “zanate joproduktive ose mashtruese”. 

Në fakt kjo është një temë e trishtueshme: persekutimi nazist i gjithë familjes së saj dhe mungesa e dëmshpërblimit. Megjithatë Frieda Daniels, me mbiemrin e vajzërisë Lemoine, qesh shumë dhe me zë të lartë. Mesa duket këtë e ka bërë shumë shpesh në jetën e saj. Rrudha buzëqeshjeje ia rrethojnë sytë dhe gojën.

Nuk duket si 89 vjeçare, më shumë si 60. Ish-pehlivania  edhe sot ka të vendosur në kopsht një litar, mbi të cilin balancon. 
Për herë të parë Frida hipi në litar për akrobaci kur ishte pesë vjeç. Në Stade, në Niedersachsen.  

“Të gjithë mbanin frymën, shikonin dhe unë kalova mbi litar. Të gjithë njerëzit në treg vinin te litari i vendosur lart. Në fund të gjithë më jepnin pak para, ishte shumë bukur!”. E gjithë familja e Friedës ishin kërcimtarë në litar në lartësi. Vendbanimi i tyre i përhershëm ishte Hamburgu, por gjatë sezonit ata udhëtonin nëpër Gjermani me kamper për të shfaqur artin e tyre. 

Ndalimi i profesionit e goditi familjen e Friedës në vitin 1942. Ata u penguan që të largoheshin nga vendi, ku u ishte bërë regjistrimi. Për regjimin nazist kjo ishte përgatitje për deportim dhe shfarosje. Të prekurit duhej të qëndronin në një vend. Familja e Friedës dhe shumë ciganë dhe romë të tjerë nuk ishin më në gjendje të ushtronin profesionet tyre. Ata u zhytën në varfëri. 

“Ishte shumë keq, aspak e lehtë”, thotë Frieda. Ajo e përzien herë pas herë gjermanishten me fjalë angleze. Në vitin 1954 emigroi në SHBA. Sot ajo jeton në Temecula, Kaliforni. Ne flasim me videocall. 

Gjatë kohës së ndalimit për t`u larguar nga një territor i caktuar kemi vuajtur nga uria, thotë Frieda. Sintit dhe romët merrnin shumë më pak triska ushqimore se të tjerët. Frieda dhe vëllezërit e motrat e saj nuk lejoheshin më të shkonin në shkollë. Fëmijët e tjerë i shanin ata “ciganë”.

Gjatë bombardimeve askush nuk i lejonte në strehimoret e tyre. “Ata e dinin që ne ishim ciganë, sepse kishim flokë të errët, sy të errët. Nëna ime ishte shtatzënë, me dhjetë fëmijë, bombat binin, fenerët digjeshin dhe askush nuk na lejonte të hynim brenda. Ishte e tmerrshme.” 

Regjimi nazist donte të regjistronte të gjithë ciganët dhe romët në polici në bazë të përkatësisë biologjike racore. Edhe babanë e Friedës, Johann. Atij iu desh t’i nënshtrohej një “ekzaminimi biologjik racor”: Nazistët i matën dhe i fotografuan në ekzaminime poshtëruese – shpesh me dhunë – dhe përgatitën të ashtuquajturat “raporte racore”. Për regjimin ata konsideroshin “racë inferiore”. 

Po të ishe një herë i regjistruar ishte gati e pamundur të arratiseshe. Babai i Friedës duhej të paraqitej në Gestapo çdo dy javë gjatë qëndrimit në një vend dhe të merrte me vete dy fëmijë. Edhe Frieda kishte qenë një herë aty. Atë e ndanë nga babai dhe e morën në pyetje. Edhe sot e kësaj dite ajo ka një ndjenjë pasigurie, kur i duhet të shkojë te autoritetet ose kur shikon policinë. Për nënën e saj marrja në pyetje nga nazistët ishte gjëja më e tmerrshme: “Ajo vetëm qante. Ajo nuk e dinte, nëse do të ktheheshim”. Nazistët kishin deportuar ndërkohë shumë nga të afërmit e tyre. 

Prindërit e Friedës ziheshin vazhdimisht për çështjen, nëse duhej të qëndronin apo të iknin? Herët a vonë ekzistonte rreziku që të deportoheshin në një kamp përqendrimi, por ata mund të kishin akoma një shans për t’u çliruar më pare nga aleatët. Por nëse nazistët i kapnin duke ikur, do të deportoheshin menjëherë. 

Frieda ngrihet nga karrigia dhe merr një foto të babait të saj për të ma treguar. I hollë, krenar, me kostum të zi, flokë të zinj. Ai mund të kishte qenë një diplomat i mirë, thotë ajo duke qeshur. Ai ka pasur gjithmonë shumë kontakte, lidhje të mira. Kur nuk kishin ushqim, ai e gjente. Kur nuk kishin strehë, ai gjente një të re. Kur iu desh të iknin, ai organizoi biletat e trenit. 
Frieda dhe familja e saj ikin nga nazistët 

“Babai im dëgjonte fshehurazi radion BBC. Kështu ai zbuloi se Hamburgu do të bombardohej masivisht.” Ata nuk do të kishin pasur asnjë shans për të mbijetuar në kamperin e tyre. Në mes të natës morën trenin, duke lënë gjithçka pas. U fshehën në Turingi te gjyshja e tyre nga nëna, e cila nuk ishte cigane. Në fakt ata donin të ktheheshin, por kamperi i tyre u shkatërrua tërësisht. Frieda thotë se ndoshta për këtë arsye qenë me fat. Ndoshta nazistët kishin menduar, se kishin vdekur në bombardim. 

Frieda mban para kamerës foto të pas vitit 1945. Ajo dëshiron të më tregojë gjithçka. Familja jetonte në Kassel, por udhëtonte në të gjithë Gjermaninë me shfaqjet e saj në lartësi. Fotografi të mëparshme nuk ka, ata janë djegur në bombardim. Ajo kërkon nga vajzat dhe nipërit e saj, t’i sjellin vazhdimisht foto të tjera. 

E shoh Friedën në fotografi bardh e zi, në moshën 18 vjeçare para kamperit të familjes së saj, në moshën 20 vjeçare mbi litar në lartësi, apo me të atin në audicion në Moulin Rouge në Hollywood. 

Frieda deri më sot nuk ka marrë dëmshpërblimin e duhur për padrejtësinë që pësoi. Vetëm një herë rreth 2000 euro, kjo ishte e gjitha, thotë ajo. Ajo po lufton për dëmshpërblim të vazhdueshëm për vitet, kur iu pamundësua vajtja në shkollë, për dëmin ekonomik të shkaktuar nga humbja e profesionit, si dhe për vuajtjet psikikë dhe fizike. Ky nuk është rasti i vetëm: qeveria gjermane akoma nuk e njeh të ashtuquajturin moslejim për t`u larguar nga një territor i caktuar si masë të persekutimit nazist. 

Historianët e shohin këtë ndryshe: Regjimi nazist që nga viti 1939 ndoqi politikën e dëbimit nga Rajhu gjerman të të gjithë popullsisë së mbetur ciganë dhe rome. Heinrich Himmler, drejtuesi i forcave SS, urdhëroi ndalimin e largimit nga territori për të përgatitur dëportimin e plotë. 

Raporti i Komisionit të Pavarur për Antiziganizmin, i publikuar në vitin 2021, bën thirrje që viktimat e pakta të mbijetuara të kompensohen përfundimisht në mënyrë adekuate. Qeveria gjermane e ngarkoi komisionin të shqyrtonte për dy vjet situatën e komunitetit cigan dhe rom. Edhe Frieda vazhdon të luftojë së bashku me Këshillin Qendror të ciganë dhe romëve gjermanë. Në fakt nuk bëhet fjalë për shumë, rreth 400 euro në muaj. 

“Kjo do të ishte një mrekulli! Por Këshilli Qendror thotë se janë ende në bisedime. Por sa duhet të zgjasë kjo? Jemi të gjithë gati 90 vjeç. Ne ishim atje, e përjetuam!” 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here