Hiqet dorë nga shërbimi i detyrueshëm ushtarak

0
170

Dokumenti kyç mbi bazën e të cilit përcaktohen orientimet strategjisë të ushtrisë së Kosovës, nuk e parasheh edhe shërbimin e detyrueshëm ushtarak, të cilin e kishte premtuar partia që tani udhëheq me qeverinë. Derisa deputetë të partisë në pushtet thonë se në një fazë të mëvonshme mund të përmbushet zotimi, ata të opozitës e shohin të pamundur një gjë të tillë dhe kanë kritikuar qeverinë për populizëm edhe në raport me ushtrinë

Shërbimi i detyrueshëm ushtarak të cilin e pati proklamuar ta shtyjë përpara Lëvizja Vetëvendosje, nuk parashihet edhe në dokumentet strategjikë të qeverisë. Kësisoj, në draftin e Strategjisë së mbrojtjes, i cili ka dalë shqyrtim publik, rekrutimi brenda Forcës së Sigurisë (FSK) përcaktohet në bazë të konkursit.

“Rekrutimi i stafit ushtarak dhe civil do të jetë konkurrues në tregun e punës, duke ofruar pagë, përfitime dhe kompensime të tjera sipas kërkesave për shërbimin ushtarak dhe civil”, thuhet në draftin e strategjisë të cilën e ka hartuar Ministria e Mbrojtjes. “Trendët e tanishëm demografikë kërkojnë angazhim të shtuar, për të siguruar që politikat e tërheqjes, rekrutimit dhe të mbajtjes së personelit të arrijnë standardet e kërkuara për forcat tona, duke u dhënë përparësi individëve me arsimim më të lartë dhe me aftësi e cilësi unike për specialitete të veçanta”.

Në këtë dokument përcaktohet edhe mënyra e avancimit të nivelit të edukimit dhe trajnimit të burimeve njerëzore.

“Burimet njerëzore janë aseti kryesor për zhvillimin e sistemit të suksesshëm të mbrojtës në Republikën e Kosovës. Në këtë drejtim, është e nevojshme të avancohet niveli i edukimit/trajnimit të burimeve njerëzore, duke përdorur edhe mekanizma të bashkëpunimit ndërkombëtar, në mënyrë që të krijohen kushte për veprim të përbashkët”, theksohet në draft. “Rreziqet/kërcënimet e reja të sigurisë kërkojnë aftësi të reja dhe trajnim modern. Në këtë drejtim theksi vihet në përgatitjen e personelit profesional ushtarak aktiv/rezervë dhe civil të arsimuar dhe të trajnuar mirë, të aftë dhe të motivuar”.

Çështja e shërbimit të detyrueshëm ushtarak ishte ngritur edhe në njërën prej mbledhjeve të Komisionit parlamentar për siguri, gjatë raportimit të ministrit të mbrojtjes, Armend Mehaj. Në mbledhjen e majit të vitit të kaluar, ai pati thënë se është duke u punuar në këtë drejtim dhe duke u koordinuar edhe me ministritë e tjera.

“Së pari ju informoj se përmes punimeve ushtarake ndërlidhet çdo veprim me strategji. Aty është harmonizuar edhe nevoja shtetërore sa i përket edhe shërbimit ushtarak, pra një vlerësim që do të bëhet. Unë e shoh që në të ardhmen Kosova duhet të ketë edhe rezervë ushtarake. Në këtë drejtim kam punuar që të shohim mundësinë për ta përfshirë lëndën e sigurisë dhe mbrojtjes në shkolla”, pati thënë Mehaj. “Jemi në bisedime edhe me ministri të tjera”.

Lidhur me këtë çështje, Ministria e Mbrojtjes e as Zyra e kryeministri nuk janë përgjigjur në pyetjet e KOHËS.

E deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, i cili është anëtar i Komisionit parlamentar për çështje të sigurisë dhe mbrojtjes, thotë se ai ka qenë vetëm premtim elektorale teksa ka treguar kufizimet në aplikimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak.

“E kam ditë qysh në start se nuk mund ta realizojnë atë projekt. Koncepti mbi të cilin po ndërtohet forca e armatosur e Kosovës tani, ky shërbim i detyrueshëm në fakt është i pamundur. E para, sepse ne po pretendojmë një forcë profesioniste që nënkupton sipas asaj që njihet në sistemin amerikan ‘një herë ushtarë, tërë jetën je ushtar’. Pastaj, është përllogaritja e saktë e kostos. Ky kapacitet që po ngrihet në Kosovë dhe kur kemi bërë rishikimin strategjik të sektorit të sigurisë, ne e kemi parë edhe koston dhe cilat janë kapacitetet e Kosovës, cila është fuqia jonë nacionale për të pasur numër të madh të ushtarëve dhe kapacitete ushtarake”, ka thënë Berisha. “Pastaj janë kriteret për kokë banori, për territor për të realizuar mbrojtjen, edhe çfarë force synon të krijosh – forcë ofensive apo mbrojtëse, gjithmonë duke zhvilluar skenarë të mundshëm të sulmeve”.

Sipas Berishës, kufizime ka pasur edhe nga ndërkombëtarët për ushtrinë që Kosova duhet ta ketë.

“Të gjithë ata që duan të jenë korrekt e dinë se nuk mund të realizohet. Shërbimi ushtarak është koncept lindor dhe përvojat e luftërave në shumë vende të botës kanë treguar se ushtarët e shërbimit të detyrueshëm ushtarak nuk janë luftëtarë. Pra, nuk mund të realizohet misioni siç është mbrojtja e integritetit territorial. Aspekti tjetër është ai financiar, por edhe mundësitë ligjore”, ka theksuar Berisha.

Megjithëkëtë, deputeti i LVV-së, Enver Dugolli, i cili është nënkryetar i Komisionit parlamentar për çështje të sigurisë dhe mbrojtjes, thotë se ende nuk është hequr dorë nga shërbimi i detyrueshëm ushtarak.

“Ky ka qenë premtim yni elektoral dhe e di se është trajtuar nga qeveria aktuale. Besojmë që kjo mund të realizohet në një fazë të mëvonshme”, ka thënë Dugolli.

Strategjia e Mbrojtjes përcakton synimin për modernizimin e FSK-së sipas standardeve të vendit, të NATO-s dhe të BE-së, bazuar në Planin Gjithëpërfshirës të Tranzicionit. Por aty nuk përmenden afate kur synohet aplikimi për anëtarësim në NATO, dhe as kur synohet rrumbullakimi i kapacitetit të plotë të ushtrisë.

Pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, Kosova e mori me urgjencë integrimin e saj në strukturat euro-atlantike. Kësisoj, themeloi grupin punues ndërinstitucional për integrimin e Kosovës në strukturat veri-atlantike. Grupi kryesohet nga ministrja e Jashtme, ndërsa, anëtarë janë ministri i Mbrojtjes, ai i Brendshëm, ministri i Drejtësisë, ndërsa një grup përfaqësues do të ketë nga Presidenca, Kryeministria, Ambasada e Kosovës në Bruksel dhe ajo në SHBA.

Por para aderimit, kryeministri Albin Kurti e ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, kanë thënë se Kosova këtë vit ka për qëllim të bëhet pjesë e Programit të Partneritetit për Paqe. Pavarësisht përcaktimit të qeverisë, NATO-ja që ruan kufijtë e Kosovës në bazë të rezolutës 1244 të OKB-së, ende nuk ia njeh FSK-së mandatin e ushtrisë, i transformuar në vitin 2018 përmes ndryshimeve ligjore.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here