Ish-diplomati amerikan Christopher Hill po vazhdon dëshminë e tij në Gjykatën Speciale në Hagë në procesin gjyqësor ndaj ish-Presidentit Hashim Thaçi.
Hill është pyetur nga avokati i Thaçit pse vendosi të vijë për të dëshmuar, duke shpjeguar se kishte ndjesinë se duhej të vinte, pasi Thaçi nuk kishte urdhëruar asgjë të paligjshme.
“Tani koha nuk i shëron të gjitha plagët, por mendoj se pas 25 vitesh është kohë e madhe që të mendohet gjërat, nuk kam arsye të besoj se Thaçi ishte përfshirë në aktivitete të tilla, as nuk kam dëgjuar në atë kohë që ai të ketë urdhëruar aktivitete të tilla, veprimtari të paligjshme, siç e kuptoj unë, ai është mbajtur i burgosur për një kohë të caktuar për këtë çështje, ndjeva kur mu kërkua nuk u kontaktova njerëz, njerëzit më kontaktuan mua, dhe ndjeva që duhet të thoja atë që dija për situatën”, tha Hill.
Hill ka përshkruar sfidat e mëdha gjatë Konferencës së Rambujes, duke e cilësuar procesin si një “mision të pamundur” që nga dita e parë.
Ai foli për përbërjen e delegacionit të Kosovës, duke komentuar rolin e ish-Presidentit Ibrahim Rugova dhe të Thaçit.
Sipas Hill, delegacioni kosovar ishte i ndarë në tri grupe: LDK-në nën drejtimin e Rugovës, përfaqësuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe një grup intelektualësh të pavarur.
“Kishim tre grupe: grupin e LDK-së nën drejtimin e Ibrahim Rugovës. Ai ishte mjaft pasiv – nuk ishte i zëshëm apo pjesëmarrës aktiv. Ishte i përmbajtur, siç edhe e prisnim. Pastaj kishim delegacionin e UÇK-së, të cilët ishin aktivë si grup, megjithëse nuk mund të them se ndonjëri dallohej veçanërisht nga të tjerët. Dhe pastaj kishim intelektualët e pavarur. Në mesin e tyre kishte njerëz që e kuptonin mirë procesin e negocimit, si Blerim Qela, e deri te Rexhep Qosja, i cili ishte aty më shumë si historian i madh që përfaqësonte të drejtën e Shqipërisë ndaj Kosovës. Ishin tre grupe që formonin një delegacion, por nuk funksiononin mirë së bashku.” – tha Hill.
Ai shtoi se formalisht Rugova shihej si kryetar i delegacionit, ndërsa nga UÇK-ja, emri kryesor ishte ai i Hashim Thaçit, por ndërkombëtarët shmangnin t’u referoheshin si “krerë delegacionesh” për të mos thelluar rivalitetet e brendshme.
“Mendoj se, në mënyrë formale, ishte Rugova. Dhe për shkak se ishte më i moshuar se të tjerët, ishte edhe Rexhep Qosja, ndërsa nga UÇK-ja, emri i vetëm që ne e njihnim mirë ishte Hashim Thaçi. Por ne kurrë nuk i referoheshim njerëzve si ‘krerë delegacionesh’, sepse mendonim se kjo do t’i përkeqësonte problemet.” – shtoi ai.
Hill dëshmoi se propozimi i Rambujes synonte “autonomi të plotë për Kosovën” dhe që NATO të siguronte mbrojtjen, pa praninë e njësive policore apo ushtarake serbe.
“Propozimi përfshinte krijimin e një autonomie të plotë për Kosovën dhe, në fund, Rambuje përfshinte idenë e një referendumi për statusin e saj përfundimtar. Dhe, më e rëndësishmja, parashikonte që NATO të siguronte mbrojtjen për Kosovën – pa më asnjë njësi policie apo ushtarake serbe. Parimi themelor ishte që pushteti të zbriste sa më poshtë, në nivele lokale, sepse kjo na dukej mënyra më e natyrshme për të qeverisur Kosovën, por ishte edhe një mënyrë për të mbrojtur komunitetet serbe, meqë ekzistonte kuptimi që nëse Kosova do të bëhej shtet, komuniteti serb do të dëshironte të jetonte atje.” – tha Hill.
Ai foli edhe për momentin kur SHBA i kërkoi Thaçit të pranonte marrëveshjen:
“Po, dhe kjo ishte e rëndësishme, sepse qëndrimi i ministrave të jashtëm ishte se nëse njëra palë pranonte marrëveshjen e Rambujes dhe tjetra jo, ne do ta mbështesnim palën që e kishte pranuar dhe do të kundërshtonim atë që e refuzonte. Pra, nëse të dyja palët do ta pranonin, do të kishim marrëveshje. Por askush nuk ishte aq optimist sa të besonte se kjo do të ndodhte. Nëse më në fund të dyja palët do ta refuzonin, atëherë do të ishim në një situatë ku, dukshëm, do të duhej të tërhiqeshim. Unë gjithmonë isha skeptik ndaj atij lloj propozimi ‘merre ose lëre’, por kjo ishte ndjesia e përgjithshme – nëse nuk mund t’i bindnim të pranonin, atëherë pse ishim aty.”
Përsa i përket pranimit të marrëveshjes nga Thaçi, Hill u shpreh:
“Jo – ai shfaqi mirëkuptim për atë që po përpiqeshim të bënim, e kuptonte arsyetimin tonë që nuk mund të ketë një propozim që funksionon vetëm për njërën palë, por shqetësimi i tij ishte se nuk mund të vendosej në një pozicion për të pranuar një propozim që nuk e kishte pavarësinë të shprehur qartë në tekst.”














































