Asociacioni i Komunave të populluara me shumicë serbe në Kosovë “është element i kyç që duhet realizuar”, ka thënë ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, për çka shtoi se “Shtetet e Bashkuara e kanë bërë këtë të qartë muaj më parë”.
Por, në linjë me Asociacionin si “element kyç që duhet realizuar” Hill shtoi se njëkohësisht edhe Kosova “është e pakënaqur” që s’ka marrë pjesën e saj të ujdisë nga Serbia, që është mospengimi nga Beogradi në integrimet euro-atlantike dhe organizata ndërkombëtare. Në dritë të kësaj, tha ai, “duhet të merremi me këtë”.
“Në diplomaci më e rëndësishmja është se ekziston një mekanizëm për zgjidhjen e çështjeve të tilla dhe mendoj se ambasadori Lajçak është personi i duhur në kohën e duhur për këtë. Më pas është e nevojshme të kaloni nëpër të gjitha pyetjet dhe të shihni se çfarë mund të bëhet. Unë mendoj se Shtetet e Bashkuara e kanë bërë të qartë muaj më parë se Asociacioni i Komunave Serbe është një element kyç që duhet të zbatohet. Në të njëjtën kohë, Kosova është gjithashtu e pakënaqur që qasja e saj në disa organizata ndërkombëtare është e bllokuar dhe ne duhet të merremi edhe me këtë”, është shprehur Hill për median serbe Kurir.
Gjatë javës së kaluar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti referuar draft-statutit, tha se Asociacioni nuk është top prioritet i normalizimit të marrëdhënieve.
Kurti theksoi hierarkia e gjërave nuk duhet të ngatërrohet, pasi ai tha se fillimisht duhet të jetë Marrëveshja Bazike, pastaj aneksi i zbatimit e më pas të flitet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
“Me 26 tetor, dy ditë pasi i kam dhënë vërejtjet e mia kapitale për draft-statutin e Asociconit si propozim euro-amerikan, kam ofruar qe ta shkruaj një paketë ku është marrëveshja bazike, aneksi i zbatimit dhe ky draft statuti për të cilin i kam pasur vërejtjet, por aty në Bruksel mu tha që është çështje urgjente. Agresioni rus në Ukrainë nuk po përfundon, andaj është e domosdoshme që të bëjmë diçka shpejt. Mirëpo, oferta ime gjeneroze për nënshkrim u refuzua nga pala serbe. Në postimin tim në Facebook kam thënë që mund ta shkruaj një draft-statut meqenëse Lajçak tha se është çështje e brendshme e Kosovës. Atëherë pse kemi diskutuar ne për Asociacionin dy vjet në Bruksel, paskemi humbur kohë, nëse është çështje e brendshme qysh u tha, u tha për herë të parë se nuk është thënë deri në dhjetor, unë mund ta shkruaj. Pra kam shprehur aftësi vetjake për ta shkruar dhe ta diskutojmë, mirëpo mos ta ngatërrojmë hierarkinë e gjërave. Marrëveshja bazike, aneksi i zbatimit dhe më pas mund të flasim për Asociacionin”, tha kreu i Qeverisë.