Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, ka folur lidhur me procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë.
Hill në një intervistë për radion lokale ‘Sto Plus’ në Novi Pazar, ka thënë se është ende herët për të dhënë vlerësime rreth rezultatit të takimit të 27 shkurtit në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
“Mendoj se po ecë në drejtimin e duhur, por duhet të presim dhe të shohim sepse askush ende nuk ka pranuar për asgjë. Nuk dua të flas për gjëra konkrete e afate, por mendoj se e rëndësishme është që çështjet po zgjidhen, që pas 10 vitesh më në fund të formohet Asociacioni i Komunave me shumicë serbe dhe që shumë e shohin këtë si një test se sa bashkësia ndërkombëtare është e interesuar në zgjidhjen e kësaj çështje, dhe unë mund të them se kështu është. Duhet vetëm durim”, ka thënë ai.
Tutje Hill ka folur edhe për sanksionet që Serbia duhet të ja vendos Rusisë. Ai ka thënë se Serbia do të duhet të marrë vendim për sanksione ndaj Rusisë, sepse siç vlerësoi ai, po paguan çmim të lartë për mosvendosjen e tyre.
Ai tha se është shumë e rëndësishme që Serbia të mos presë të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian (BE), por që në procesin e anëtarësimit të harmonizojë politikën e saj me BE-në , duke përfshirë edhe çështjen e vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë.
“Duhet ta dimë se Rusia sulmoi brutalisht fqinjin e saj, shumë vende të vogla evropiane vendosën sanksione, megjithëse ishte e vështirë për ta, por e bënë sepse ishte e drejtë. Besoj gjithashtu se Serbia do ta kuptojë këtë, nuk është kurrë vonë për bëj gjënë e duhur”, tha ambasadori amerikan në Beograd./GS