Ambasadori i SHBA-së në Beograd, Christopher Hill, sërish ka folur për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Ai në një intervistë për “Nova S”, ka thënë se në fund “do të themelohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe”.
“Ka një vetëdije në mesin e politikbërësve amerikanë në atë se serbët në veri të Kosovës dhe në Kosovë, në realitet duhet të kenë çështjet e zgjidhura nëpërmjet Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Kjo është çështja me të cilën po merren edhe evropianët edhe SHBA-ja dhe ndonëse nuk do të ketë përparim në çdo takim, në fund do të kemi një Asociacion të komunave me shumicë serbe”, tha Hill.
Hill ka thënë se pajtohet me vlerësimin e përfaqësuesit të lartë të BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell, në lidhje me zgjedhjet e fundit të mbajtura në katër komunat veriore të Kosovës. Vlerësimi i Borrellit ishte negativ.
“S’besoj se këto zgjedhje mund të kenë një ndikim pozitiv në komunat me shumicë serbe në një të ardhme afatgjate dhe është e rëndësishme për mua që të fokusohemi dhe ta tejkalojmë atëdhe të arrijmë tek Asociacioni i komunave me shumicë serbe”, tha Hill.
Hill është pyetur edhe për tekstin e “New York Times” për lidhjet e pretenduara të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me botën e krimit dhe me klanin mafioz Belivuk.
Vuçiq kishte thënë se është “përpjekje e CIA-s për ta disiplinuar atë për Kosovën”.
“CIA nuk ka asnjë përgjegjësi për ta ndihmuar New York Timesin që të shkruajë artikuj dhe unë nuk besoj se kjo është e drejtë për CIA”, ka thënë Hill.