Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, është pritur sot në takim nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq, të cilët diskutuan edhe për dialogun Kosovë-Serbi.
Në komunikatën e lëshuar nga Presidenca serbe thuhet se ambasadori Hill e ka njoftuar Vuçiqin se SHBA-ja ka pranuar kërkesën e Kosovës për blerjen e raketave antitank Javelin. Siç citohet të ketë thënë Hill, Departamenti i Shtetit do t’ia dërgojë kërkesën e Kosovës Kongresit Amerikan për fillimin e procedurës.
Për këtë Vuçiq pretendoi se ka mbetur i zhgënjyer, raporton Gazeta Express.
“Ambasadori Hill e njoftoi presidentin Vuçiq për vendimin amerikan për pranimin e kërkesës së Prishtinës për blerjen e raketave antitank Javelin. Siç tha ambasadori Hill, Departamenti i Shtetit do t’ia dërgojë kërkesën e Prishtinës Kongresit Amerikan, i cili fillon procedurën zyrtare. Presidenti Vuçiq tha se ky informacion është një zhgënjim i madh për Serbinë, por se vendi së bashku me SHBA-në do të punojnë për ruajtjen e marrëdhënieve serbo-amerikane”, thuhet në komunikatën e Presidencës serbe.
Po ashtu, Vuçiq ka përsëritur deklaratën e tij ku pretendon se po ruan paqen në rajon.
“Për ne është me rëndësi të madhe që paqja në rajon të mos prishet dhe Serbia të vazhdojë të veprojë me përgjegjësi dhe të kontribuojë për stabilitetin në Ballkan”, tha ai.
Sipas kësaj komunikate, Hill dhe Vuçiq kanë folur “për përmirësimin e mëtejshëm të marrëdhënieve politike dhe ekonomike serbo-amerikane, pozitën ndërkombëtare të Serbisë, situatën në Kosovë dhe vazhdimi i dialogut me Prishtinën, si dhe zhvillimet aktuale gjeopolitike”.