Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill ka folur për afatet për formimin e Asociacionit dhe zbatimin e marrëveshjes franko-gjermane, raporton Gazeta Express.
Siç shkruan RTV, Hill në intervistën për televizionin K1 ka thënë se afatet e përmendura nëpër media janë të arsyeshme dhe reale dhe se Asociacioni mund të formohet deri në verë ndërkohë propozimi franko-gjerman mund të zbatohet deri në fund të vitit.
“Unë mendoj se njerëzit duhet të punojnë çdo ditë për të gjetur një zgjidhje. Mendoj se është realiste që të propozohet që kjo të ndodhë këtë vit, prandaj mendoj se ky vit është domethënës, mendoj se propozimi është pozitiv dhe mund të zbatohet”, ka thënë Hill në këtë intervistë.
Hill ka thënë se Amerika është absolutisht e përkushtuar për zbatimin e plotë të të gjithë marrëveshjeve për të cilat është rënë dakord përfshirë edhe Asociacionin.
“Ne me të vërtetë këmbëngulim që ajo që është rënë dakord duhet të zbatohet, kështu që po flasim për marrëveshjen origjinale të Brukselit”, ka thënë Hill.
Ai ka thënë se ka një lidhshmëri mes propozimit frnako-gjerman dhe marrëveshjeve të Brukselit meqë në propozimin franko-gjerman shkruan që të gjitha marrëveshjet e arritura duhet të zbatohen.
Diplomati amerikan theksoi se SHBA absolutisht mbështet atë që kanë bërë evropianët, veçanërisht propozimin franko-gjerman, transmeton Express.
“Ne po flasim për një zgjidhje për Serbinë, Ballkanin dhe Evropën. SHBA ka interesa afatgjata në kontinent dhe në këtë rajon. Unë mendoj se ajo që duhet të bëjmë është të flasim me evropianët për këtë,” ka deklaruar Hill.
Ai thekson se është e rëndësishme që gjërat të qetësohen, të mos krijohen tensione dhe të mos u jepet mundësia njerëzve që duan t’i krijojnë ato.
Hill tutje shton se për të “është e qartë se ajo që i shqetëson njerëzit në Serbi është se kush do të garantojë marrëveshjet e nënshkruara, sepse marrëveshja e Brukselit është nënshkruar në vitin 2013, por nuk është zbatuar dhe ka kaluar shumë kohë”.
Ai ka thënë se SHBA dëshiron të jetë pjesë e procesit për të dhënë një garanci për zbatimin e rezultatit të marrëveshjes.
“Ne duam të jemi pjesë e procesit dhe një garanci për zbatimin e rezultatit të marrëveshjes. Nëse doni të investoni në ndonjë vend, dëshironi që ai të jetë në një vend të sigurt dhe nuk do të keni probleme politike. Pra është të gjitha pjesë e një problemi të madh”, ka përfunduar Hill./GazetaExpress