Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill ka thënë se pret që Asociacioni i Komunave Serbe, i dakorduar para 12 vitesh, të themelohet.
I pyetur nëse është optimist, ai u përgjigj se është gjithmonë optimist, sepse në të kundërt nuk do të bëhet asgjë.
“Unë jam optimist se Asociacioni i Komunave Serbe, për të cilin është rënë dakord më parë rreth 12 vjet më parë, do të duhet të themelohet. Pra, po, unë do të jem optimist për këtë, por mendoj se të gjithë duhet të bashkohen dhe ta mbarojnë këtë gjë, sepse nuk është e kënaqshme për momentin”, tha Hill për RTS.
I pyetur nëse administrata e ardhshme ndoshta mund të jetë më këmbëngulëse në kryerjen e punëve në Kosovë në lidhje me Asociacionin, ai u përgjigj se administrata aktuale gjithashtu u përpoq të mbështesë BE-në për t’i bërë gjërat, veçanërisht për të zbatuar atë që është rënë dakord.
“Unë supozoj se çdo administratë e ardhshme do të mbajë të njëjtin pozicion. Pse nuk ndodhi kjo, mendoj se është diçka që njerëzit duhet ta analizojnë, ta shikojnë me kujdes dhe të shohin se çfarë mund të bëhet. Është shumë e qartë se kjo është një situatë e pakënaqshme, dhe mund të shtoj se po të isha nga Kosova, kjo do të më dukej shumë e pakënaqshme. Në fund të fundit, ka shumë njerëz që jetojnë në Kosovë që meritojnë një situatë më të mirë dhe e dinë se mund ta arrijnë atë përmes një bashkëpunimi më të madh në kuadër të dialogut të organizuar nga Bashkimi Evropian”, tha Hill.