Një polic në Serbi është vrarë mbrëmë pas mesnate dhe një tjetër është plagosur rëndë, sipas ministrit të Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq.
Policia serbe thotë se në vendngjarje ka gjetur “pasaportën e lëshuar nga Kosova e të dyshuarit me emër të Hajziri Artan, 33 vjeç dhe një letërnjoftim gjerman”.
Tutje, janë dhënë detaje si ka ndodhur incidenti.
“Sonte, rreth orës 12:55 në Loznicë, gjatë kontrollit të automjeteve në pikën e kontrollit në Lipnički Šor, policët e stacionit kufitar të Trbushnicës ndaluan një Mercedes me targa të Tutin [qytet në rajonin e Rashkës në Serbi], në të cilin ndodheshin dy persona”, tha Daçiq.
“Kur ka dalë nga vetura, një person ka qëlluar me pistoletë, duke e goditur policin Nikolla Krsmanoviq (34) në gjoks dhe polici Vjekoslav Iliq (50) në shpatull, pas së cilës ka ikur”, ka thënë policia serbe.
Të dy policët u transportuan në Spitalin e Përgjithshëm të Loznicës, ku Krsmanoviç u nënshtrua plagëve të marra.
Siç raporton mediumi serb “Kurir”, forca të shumta policore janë në kërkim intensiv të sulmuesit, policët e Departamentit të Policisë së Shabacit, si dhe Drejtoria e Policisë Kriminale, Drejtoria e Policisë Kufitare dhe pjesëtarët e Njësisë Speciale Antiterroriste ndodhen në terren, janë ngritur dronë dhe helikopterë.
Hetimet nga Prokurori i Lartë Publik nga Shabac dhe pjesëtarë të policisë janë duke vazhduar.
“I dërgoj ngushëllimet më të thella familjes së policit të vrarë në emër të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe në emrin tim”, tha Daçiq./Express/