Haziz Hodaj dorëhiqet nga Kryesia e LDK-së në Prizren: Emrat për drejtorë u dërguan pa pëlqimin e anëtarëve të Kuvendit

0
979

Haziz Hodaj ka njoftuar dorëheqjen nga Kryesia e Degës së LDK-së në Prizren, duke reaguar ndaj asaj që e quan mungesë reflektimi pas humbjeve dhe vendimmarrje arbitrare brenda partisë, shkruan 04 Online.

Në reagimin e tij publik, Hodaj thekson se vendimi për t’u larguar vjen si pasojë e shkeljes së fjalës së dhënë, mungesës së konsultimit dhe përjashtimit të parimeve nga proceset vendimmarrëse. Sipas tij, dorëheqja është një akt dinjiteti dhe integriteti moral.

Ai ka bërë të ditur se nuk mund të vazhdojë të jetë pjesë e Kryesisë për shkak të vendimeve të marra pa pëlqimin e saj, duke shtuar se i qëndron besnik parimeve personale dhe besimit të votuesve.

Në fund, Hodaj i ka bërë thirrje kryetarit të Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, që të mos marrë vendime për emërime pa u konsultuar me anëtarët e Kuvendit Komunal nga LDK.

Njoftimi i plotë i Haziz Hodaj

Në vend se të reflektojmë mbi humbjet serike, ne po sillemi me një papërgjegjësi shqetësuese që thellon gabimet.

Mjaft është mjaft Driton Selmanaj!

Kur fjala e dhënë shkelet e besa humb peshën e saj, kur parimet përjashtohen dhe heshtja zë vendin e komunikimit, dorëheqja nga kryesia mbetet e vetmja rrugë e ndershme. Jo për t’u larguar nga përgjegjësia, por për të mos u bërë pjesë e pabesisë. Për të mos u detyru të përkujtojmë çdo ditë atë që u shkel. Ky është një akt dinjiteti, jo dorëzim. Një qëndrim i pastër, kur fjala nuk ka më vlerë.

Sepse më mirë të largohesh me nder, sesa të qëndrosh aty ku besa është shkelur.

Pra largohem nga Kryesia e Degës për shkak të vendimeve arbitrare, të marra pa konsultim, pa marrëveshje dhe jashtë çdo vendimi të Kryesisë. Vendime që cenojnë parimet, shkelin besimin dhe e bëjnë të pamundur vazhdimin e përgjegjësisë me integritet.

I qëndroj besnik, pa asnjë kompromis, parimeve të mia dhe besimit të votuesve të mi. Ky është detyrimi im moral dhe kufiri që nuk e shkel, pavarësisht rrethanave.

Ps. Emrat e dërguar për drejtor të drejtorive nga LDK janë dërguar pa pëlqimin e anëtarëve të kuvendit andaj e lus Kryetarin e Komunës z.Shaqir Totaj mos të merr vendime pa u konsulltu me anëtarët e kuvendit nga LDK përpos drejtorit të urbanizmit!

https://www.facebook.com/haziz.hodaj.1/posts/pfbid02icawcPsUiYF4AUfs5uguT3J6fFRMeXC6ezE1ju4JrD18enoLtyjXHf4jthBHzQ9Cl

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here