Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, i ftuar në emisionin DPT te Fidani, ka folur lidhur me aktualitetin politik në vend, përcjell Reporteri.net.
Haziri ka folur për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë kur është pyetur se si e sheh Kosovën në këtë aspekt dhe mundësitë për të rivazhduar.
“Kosova është në pozicion defantist (mbrojtës), në masa të sanksionuara, financiarisht dhe politikisht, ndaj eksponentëve të Qeverisë dhe të partisë që ka shumicën. Ende nuk ka reflektim në atë që quhet dënim reflektiv për popullin, sepse falë SHBA-së populli i Kosovës asnjëherë nuk ka pasur dënim kolektiv”, u shpreh ai.
Haziri, ka komentuar edhe raportet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pas vendimit të fundit të Kosovës, më konkretisht, rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës që largon dinarin nga përdorimi dhe lejon vetëm euron si valutë në vend. Ky vendim, bëri që SHBA-ja të flasë për “partneritetin dhe lëvizshmërinë e saj”.
“Rregullorja e BQK-së është legjitime, por e pakoordinuar dhe e pakohë e e pavend”, u shpreh Haziri.
Në këto rrethana, Haziri thotë se ky vendim ishte i panevojshëm, megjithëse në çdo rrethanë do të ishte zbatuar./Reporteri