Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri njoftoi për një takim të degës së LDK-së në Gjilan, ku tha se partia më e vjetër në vend “riaktivizoi mekanizmat partiakë, Kryesitë e forumeve, Nëndegët, komisonet profesionale, komisonerët e vëzhguesit për agjendën e re të punës”, pasi presidentja caktoi 9 shkurtin 2025 si datën e zgjedhjeve të rregullta parlamentare.
Ish-kryetari i Gjilanit është shprehur optimist se “rikthimi i madh do të ndodhë dhe LDK mbetet parti e besës dhe e shpresës”.
“Fillon numërimi prapa i kësaj qeverie që pësoi fiasko në çdo aspekt. Erdhën në pushtet me metoda të dhunshme, me linçime të kundërshtarëve politikë, me kauza të rrejshme, me populizëm par excellance dhe e polarizuan skenën politike deri në atë shkallë sa e sollën Kosovën afër vëllavrasjes. E, çka bënë?! Degraduan çdo pore të jetës, dështuan në çdo premtim në mënyrë frapante dhe prapë vazhduan me mashtrime”, shkroi Haziri.
Ai përmendi frazat e dikurshme të Lëvizjes Vetëvendosje dhe dështimet, siç tha, të njëpasnjëshme.
“Sot në institucionet e Republikës valon akoma ‘flamuri lara-lara’, e harruan bashkimin kombëtar, madje i degraduan raportet me Shqipërinë deri në atë shkallë sa të mos ketë as komunikim ndërnjerëzor, përderisa, si asnjëherë më parë, i përçanë shqiptarët e Kosovës Lindore dhe ata të Maqedonisë së Veriut.
Nuk duhet ta harrojmë assesi edhe mashtrimin e tij më të madh se ‘nuk do ta vazhdojë dialogun me Serbinë’, ndërkohë që buzëqeshi disa herë në takimet me Vuçiqin, prej të cilave u prodhua një autonomi për serbët dhe Kosovën e futi në marrëveshje ligjërisht obligative. Ajo që është më e tmerrshmja, Kosovës dhe komunave ku udhëheqin, i sollën depresion të thellë politik e ekonomik, dhe shkaktuan dëshpërim në emër të shpresës që e mbollën tek qytetarët. Anamoravën e përjashtuat nga çdo kujdes dhe ia ndaluat projektet ktyesore që me mund të madh ia kishim siguruar”, shkroi Haziri.
Ai tha se “deri më 9 shkurt për nivel qendror dhe deri në tetor të vitit 2025 do t’u numërohen ditët prapa, por edhe dështimet një nga një”.
“Sot Dega e LDK-së në Gjilan, pas dekretimit të zgjedhjeve, u takua dhe riaktivizoi mekanizmat partiakë, Kryesitë e forumeve, Nëndegët, komisonet profesionale, komisonerët e vëzhguesit për agjendën e re të punës. Në fokus nga ne do të jetë qyetari i komunës sonë dhe i Anamoravës. Rikthimi i madh do të ndodhë dhe LDK mbetet parti e besës dhe e shpresës”, shkroi Haziri.
“LDK ka nominuar katër nga gjashtë autoritetet politike për zgjedhjet parlamentare. Shumë shpejt do të përmbyllet procesi dhe deputetët e LDK-së do të jenë ushtarët e lirisë, demokracisë dhe pavarësisë së vendit”, shtoi ai.