Kandidati për deputet në Kuvendin e Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Mytaher Haskuka, ka deklaruar se fokusi i tij kryesor politik do të jetë fusha e arsimit.
Në një intervistë të dhënë për TVPz, Haskuka tha se në Kuvendin e Kosovës, por edhe jashtë tij, do të angazhohet për ngritjen e çështjeve me rëndësi në arsim, me qëllim të përmirësimit të sistemit arsimor dhe rritjes së cilësisë së mësimdhënies.
Sipas tij, arsimi mbetet një nga shtyllat kryesore për zhvillimin afatgjatë të vendit. “Do të kontribuoj për zhvillim të qëndrueshëm, duke mbrojtur interesat e qytetarëve dhe duke i kushtuar rëndësi të veçantë ruajtjes së mjedisit”, është shprehur në mes tjerash Haskuka.
Ai ka theksuar gjithashtu se do të promovojë pikat programore të Lëvizjes Vetëvendosje, duke përmendur zhvillimin e energjisë së ripërtëritshme si dhe mbështetjen për bizneset e vogla, veçanërisht në aspektin e prodhimtarisë vendore.
Në fund të intervistës, Mytaher Haskuka ka kërkuar mbështetjen e qytetarëve të Prizrenit, duke theksuar se synimi i tij është promovimi i Prizrenit si qytet me vlera të veçanta kulturore, historike dhe zhvillimore në Kosovë./04 Online














































