Hasani: Dekreti i Osmanit është shkalla më e lartë e kundërkushtetutshmërisë, Gjykata s’e tha nga frika e presioni i bërë në 2025-ën

0
62

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, në një intervistë për Kosova Press ka thënë se dekreti i presidentes, Vjosa Osmani, përbën shkallën më të lartë të kundërkushtetutshmërisë.

Megjithatë, Hasani thotë se një gjë e tillë nuk është potencuar në aktgjykim nga Kushtetuesja për shkak të frikës dhe presionit që ishte bërë në vitin 2025 për raste të tjera.

“Po. Arsyetimi është korrekt dhe tregon qartë se, në një sistem parlamentar, shefi i shtetit (presidenti apo monarku) nuk mund ta shpërndajë parlamentin në mënyrë autonome dhe jashtë autorizimit të shprehur kushtetues. Për këtë arsye, në dispozitiv, Gjykata ka theksuar se dekreti i Presidentes së Republikës për shpërndarjen e Kuvendit nuk ka prodhuar asnjë efekt juridik. Kur një akt juridik nuk prodhon asnjë efekt juridik, atëherë kemi të bëjmë me pavlefshmëri absolute të aktit. Ky është një emërtim tjetër për të thënë se dekreti ka qenë tërësisht kundërkushtetues. Këtë nuk e ka thënë Gjykata për shkak të frikës dhe presionit që ka pasur vitin e kaluar dhe në raste të tjera”, ka thënë Hasani.

Hasani ka deklaruar se Dekreti i Osmanit s’ka prodhuar asnjë pasojë juridike dhe si i tillë është kundërkushtetues.

“Siç e thashë, bëhet fjalë për përshkrimin e një akti juridik si tërësisht kundërkushtetues, meqë nuk ka prodhuar asnjë pasojë juridike. Pra, dekreti për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës është tërësisht i pavlefshëm, sikur të mos kishte ekzistuar fare. Kjo është shkalla më e lartë e kundërkushtetutshmërisë dhe përfshin nenet e Kushtetutës të përmendura në paragrafin 4 të aktgjykimit që flet për objektin e çështjes”, ka shtuar ai.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here