Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se e mbështet Qeverinë e Kosovës për vendosjen e masës së reciprocitetit me Serbinë.
Ai u ka bërë thirrje qytetarëve serbë në veri të ruajnë qetësinë.
“Vendimi për vendosjen e reciprocitetit me Serbinë është i drejtë dhe i ligjshëm edhe në bazë të ligjeve vendore, por edhe atyre ndërkombëtare. Mbështesim institucionet e vendit, organet e rendit dhe sigurisë, për zbatimin e këtij vendimi të drejtë e të ligjshëm. Bëjmë thirrje që qytetarët serb në veri të vendit, të përmbahen dhe të ruajnë qetësinë, rendin e ligjin”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Qeveria e Kosovës ka vendosur masën e reciprocitetit për letërnjoftime ndaj Serbisë. Nga dita e hënë qytetarët me letërnjoftime serbe do të pajisen në hyrje dhe dalje të Kosovës me një dokument qarkullimi, ngjashëm siç ndodh tash e disa vjet me qytetarët e Kosovës kur hynë në Serbi. Po ashtu nga nesër do të hapet afati për regjistrimin e automjeteve me targa ilegale, për t’i kthyer ato në targa RKS.