Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj është pritur në Pentagon nga Alton Buland, drejtori kryesor për Europën dhe Politikat e NATO-s në Zyrën e Sekretarit të Mbrojtjes.
Haradinaj ka publikuar në Facebook pamje nga pritja në Pentagon, ndërsa shkroi se nga Buland kërkoi që “të ngritet dialogu strategjik për çështje bilaterale mes dy vendeve, në të njëjtën kohë të ndodh anëtarësimi i Kosovës në NATO”.
“Nder i madh të vizitoj prap Pentagonin dhe të takohem me z. Alton V. Buland, Drejtor Kryesor për Evropën dhe Politikat e NATO-s në Zyrën e Sekretarit të Mbrojtjes. Shfrytëzova rastin ta falënderoj z. Buland për angazhimin e madh që Ushtria dhe Qeveria Amerikane e ka tash e 25 vite në mbështetje të popullit të Kosovës dhe institucioneve të saj, në veçanti në ndihmën që i kanë dhënë forcimit të Ushtrisë së Kosovës”, shkroi Haradinaj.
“Gjatë takimit me z. Buland kërkova që në rrafshin e bashkëpunimit Kosovë-ShBA të ngritet dialogu strategjik për çështje bilaterale mes dy vendeve, në të njëjtën kohë të ndodh anëtarësimi i Kosovës në NATO. Tash që jemi 25 vjet pas intervenimit të kësaj organizate të rëndësishme, ky do të ishte hapi i duhur i cili e ndihmon edhe sigurinë e brendshme, njëkohësisht stabilitetin dhe sigurinë rajonale”, shtoi ai.
Haradinaj shkroi se “Kosova dhe Ushtria e saj është gati të jetë anëtare në krah me Amerikën dhe shtetet tjera që janë pjesë përbërëse e Aleancës veri-atlantike të NATO-s”.