Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka kërkuar një rinumërim të plotë të votave pas gjetjeve të skemave të mundshme të manipulimit.
Në një postim në rrjetet sociale, Haradinaj thekson se rinumërimi i pjesshëm po tregon manipulime të përmasave shqetësuese, duke shtuar se pa një rinumërim të tërësishëm nuk mund të garantohet integriteti i zgjedhjeve.
“Procesi i këtyre zgjedhjeve qysh sot është lënduar dhe pas këtyre gjetjeve, vota duhet të rinumërohet një për një. Pa rinumërim të tërësishëm, nuk sigurohet integriteti i këtyre zgjedhjeve,” shkruan ai.
Haradinaj apelon gjithashtu tek mekanizmat e drejtësisë dhe institucionet e vendit që të veprojnë për të mbrojtur votën e qytetarit dhe për të rikthyer integritetin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
“E habitshme qysh Prokuroria nuk është vënë në lëvizje qysh sot. Demokracia nuk mund të jetë viktimë e një grushti hajdutësh”, ka shkruar Haradinaj.
Ai paralajmëron se çdo drejtim tjetër mund të ketë pasoja të pariparueshme. /Telegrafi/














































