Pas kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku që deklaroi se forca e tij politike do të qëndrojë në opozitë, një koalicion të mundshëm me Lëvizjen Vetëvendosje e ka hedhur poshtë edhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Por ndryshe nga Abdixhiku, Haradinaj një ditë pas zgjedhjeve deklaroi se ai vetë do të punojë për një qeveri të opozitës në Kosovë.
“Ne do ta vazhdojmë këtë rrugëtim, kisha pasur dëshirë që Kosova të ketë një rezultat më të mirë të opozitës. Ne e shohim që në këtë politikë që e kam udhëheq si ndaj mashtruesit që e udhëheq Kosovën, pra qeverisë mashtruese, mendoj që është në nderin tim që të ndihmoj një qeveri të opozitës e asesi koalicion me Vetëvendosjen”, tha Haradinaj.
Kreu i AAK-së u tha gazetarëve po ashtu se nuk është i kënaqur me rezultatin e zgjedhjeve të 9 shkurtit.
“E pranoj se gara ka qenë e ashpër, u jam mirënjohës votuesve që kanë votuar koalicionin Kosova Fituese. E pranoj se rezultati nuk është i mirë nuk jam i kënaqur më këtë rezultat. Gjithsesi që do të reflektojmë pas këtij rezultati”, nënvizoi ai.